Vaksinimi i hapur mbi 18 vjeç nga veriu në jug, kryhen 1,198,933 vaksinime

TIRANË, 2 gusht/ATSH/ Vijon vaksinimi masiv nëpërmjet njësive të lëvizshme në komunitet, krahas në pikat e përqëndruara të vaksinimit dhe në qendrat shëndetësore.

Prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 1,198,933 doza të vaksinës ndaj COVID-19. Prej tyre 528,718 qytetarë i kanë marrë të dyja dozat e vaksinës anti-COVID.

Në 24 orët e fundit janë kryer 8086 vaksinime. Ditën e  sotme ka filluar vaksinimi i hapur +18 vjeç. Muaji gusht do të jetë  muaj i hapur i vaksinimit për të gjitha grupmoshat +18 vjeç, për të kryer vaksinën kudo në qendrat shëndetësore apo në pikat e vaksinimit të përqëndruar.

Për të pamundurit njësitë e lëvizshme të vaksinimit do të jenë kudo në territor për t’iu dhënë mundësinë e kryerjes së vaksinimit ndaj COVID-19 pa asnjë kufizim.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu apelon që “të gjithë ata që ende nuk e kanë kryer vaksinën, të paraqiten në qendrat shëndetësore ose në qendrën më të afërt të vaksinimit, për t’u vaksinuar sa më parë, duke mbrojtur veten dhe njerëzit e dashur”.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.