Tregtia elektronike, mundësi zhvillimi për ekonominë

TIRANË, 2 gusht/ATSH/ Tashmë me zhvillimin teknologjik me shpejtësinë e një kliku mund të blesh produkte pa qenë nevoja të vizitosh fizikisht dyqanet për të gjetur atë që kërkon, si dhe pa u kufizuar brenda kufijve të shtetit tënd.

Edhe numri i bizneseve shqiptare që ka nisur të ofrojë produkte dhe shërbime në mënyrë elektronike është në rritje të vazhdueshme.

Në këto kushte sigurimi i një niveli të lartë të mbrojtjes së konsumatorëve është një ndër prioritetet e qeverisë shqiptare, pasi rritjes së ekonomisë të një vendi, krahas bizneseve konkurruese, i nevojitet edhe kërkesë e fortë blerje nga ana e konsumatorëve.

Konsumatorë të aftësuar dhe me besim, duke ushtruar fuqinë e tyre të zgjedhjes në blerjen e mallrave dhe shërbimeve, mund të shfrytëzojnë potencialin e tregut dhe ta bëjnë tregun të punojë për ta.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj deklaron se qeveria ka ndërmarrë hapa konkretë për kapërcimin e barrierave dhe mbrojtjen e konsumatorëve.

Sipas Denaj, tregtia elektronike përbën një mundësi zhvillimi për ekonominë.

“Kemi ndërmarrë hapa konkretë për kapërcimin e barrierave dhe mbrojtjen e konsumatorëve. Këtij qëllimi i shërben faqja e Komisionit të Mbrojtjes së Konsumatorëve (KMK), e cila ju vjen në ndihmë konsumatorëve, me informacionet e duhura për të drejtat e tyre”, bëri të ditur Denaj.

Referuar statistikave të INSTAT-it, gjatë periudhës 2018-2020, 36,6 % e ndërmarrjeve të vrojtuara kryen një aktivitet inovacioni. Aktiviteti i Inovacionit rezulton më i lartë në ndërmarrjet që operojnë në sektorin e shërbimeve me 41 %, krahasuar me ndërmarrjet në sektorin e industrisë me 32,1 %.

42 % e ndërmarrjeve me inovacione produktesh prezantuan mallra ose shërbime që ishin të reja jo vetëm për ndërmarrjen, por edhe për tregun, pra jo të ofruara më parë nga konkurrentët e tyre.

Vendi ynë tashmë ka marrë statusin e vendit kandidat drejt anëtarësimit në BE, gjë që për konsumatorët do të thotë një kuadër ligjor dhe institucional që siguron nivel të njëjtë mbrojtjeje të shëndetit, sigurisë dhe interesave ekonomike si edhe konsumatorët e vendeve evropiane.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.