Subvencionet nga AZHBR, 72-vjeçarja shtoi fermën nga 20 në 300 krerë

TIRANË, 2 gusht /ATSH/ Politikat dhe programet mbështetëse të qeverisë po nxisin më edhe më shumë pasionin dhe përkushtimin e fermerëve për të punuar në bujqësi dhe blegtori.

Drejtoresha e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, Frida Krifca solli sot shembullin e Dylbere Tozajt nga fshati Kallarat i Vlorës, e cila prej vitesh merret me blegtori dhe falë mbështetjes financiare nga AZHBR ka arritur sot të shtojë numrin e krerëve të të imtave dhe të sigurojë përfitime ekonomike për familjen e saj.

“Është 72 vjeçe dhe kujdeset për tufën e saj të të imtave. Si një grua e fortë nga Labëria, ajo e shtegton vetë bagëtinë maleve. Kujdeset për të vegjlit e tufës, ushqimin dhe mirëqenien e tyre”, shprehet Krifca.

Krifca tha se, Dylberja është mbështetur nga AZHBR nëpërmjet Skemës Kombëtare për tufën bazë të matrikulluar çdo vit.

“E ka nisur me 20 krerë, ndërsa sot ka 300 dhen. Dylberja thotë se dëshiron akoma më shumë të shtojë tufën. Këta janë njerëzit tanë që na frymëzojnë”, u shpreh Krifca.

/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.