Sokol Cikalleshi e nis mbarë sezonin, i jep fitoren Koniasporit në Turqi

TIRANË, 2 gusht/ATSH/ Një tjetër lojtar kuqezi e ka nisur mbarë sezonin futbollistik. Bëhet fjalë për Sokol Cikalleshin, futbollisti i “Koniasporit” që arriti të gjejë golin që në ndeshjen e parë miqësore me ekipin turk duke i dhënë fitoren skuadrës së tij.

Në ndeshjen kundër “Antaliasporit”, sulmuesi kavajas bëri një paraqitje mjaft të mirë. Një gabim i kundërshtarit ka bërë që lojtari më i ri i “Koniasporit”, njëkohësisht edhe futbollist i Kombëtares shqiptare, Endri Çekiçi, të përfitojë, duke “asistuar” dhe duke e dërguar topin në këmbët e Cikalleshit, i cili nuk fal dhe shënon në minutat shtesë të kohës së plotë.

Një nisje e mirë e Sokol Cikalleshit, i cili ka qenë protagonist absolut edhe sezonin e kaluar me “Koniasporin”, duke qenë vendimtar në disa ndeshje, por edhe një debutim i mirë për Çekiçin, i cili luajti ndeshjen e tij të parë në radhët e ekipit turk, pak ditë pasi u transferua nga skuadra e “Ankaraguxhu”.

Gjithashtu edhe një lajm i mirë për teknikun Edi Reja, i cili do të ketë gati në shtator disa golashënues, duke pasur parasysh që në javët e fundit kanë shënuar edhe Rei Manaj me “Barcelonën”, Armando Broja me Çelsin si dhe Myrto Uzuni me “Ferencvarosh”.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.