Rrushi vendas po furnizon gjithnjë e më tepër tregjet

TIRANË, 2 gusht/ATSH/ Prodhimi vendas i rrushit po dominon gjithnjë e më tepër furnizimin e tregut si me rrush tavoline, ashtu edhe me atë për përpunim.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi në kuadër të vizitave të saj në ferma u ndal edhe në Karbunarë të Vogël, në Lushnjë.

“Me kënaqësi pranova ftesën për të vizituar plantacionin me vreshta në fshatin Karbunarë e Vogël, Lushnjë. Beshiri më tregoi se ky biznes familjar u ngrit pas një përvoje pune në bujqësi gjatë emigrimit në Itali”, u shpreh ministrja Ekonomi.

Beshiri, i cili ka ngritur këtë plantacion me vreshta tregon se si e mori iniciativën për t’u kthyer dhe për të investuar në Shqipëri.

“Për disa vite me radhë punova në Itali, në bujqësi. Pas marrjes së përvojës atje vendosa të kthehem dhe të ndërtoj vetë një vreshtë. Punojmë familjarisht me gruan dhe vajzën. Vjet kam arritur të marr 25 kg për rrënjë“, thotë ai.

Ai tregon se një nga varietetet që kultivohet në këtë plantacion është i veçantë, pasi është importuar nga rajoni i Puljas.

Sipërfaqja e plantacionit është 13 dynymë dhe prej dy vitesh, prodhimi cilësor e me standard i rrushit ka gjetur vend në tregun vendas.

Zonat kryesore të prodhimit të rrushit gjenden mes kodrave dhe bregdetit të Shqipërisë Qendrore. Fieri, Berati, Elbasani dhe Vlora, janë qarqet me përqindjen më të madhe të prodhimit; këto katër qarqe japin më shumë se gjysmën e prodhimit vendas të rrushit.

Ndërkohë importet kanë rënë në mënyrë domethënëse nga viti në vit.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.