Protesta për punimet në burimin e Sinecit, Alizoti: Kjo polici nuk i shërben qytetarëve

TIRANË, 2 gusht /ATSH/ Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike, Tomor Alizoti ka reaguar sot ndaj dhunës së policisë mbi qytetarët që protestojnë për të pezulluar punimet pranë burimit natyror të Sinecit.

“Edhe pse ka një vendim nga Administrata e Zonave të mbrojtura për të pezulluar punimet pranë burimit natyror të Sinecit, policia dhunon qytetarët që protestojnë për zbatimin e vendimit të AdZM-së”, shprehet Alizoti.

“Është e qartë për të gjithë se kjo polici nuk i shërben qytetarëve, por ortakëve të Ramës që shkelin në mënyrë flagrante ligjin dhe të drejtat e banorëve të zonës”, tha ai.

“Ky rast është një tjetër shembull i kapjes së shtetit nga ana e një regjimi të korruptuar deri në palcë, i cili punon kundër interesave të shumicës së shqiptarëve. Dhuna ndaj qytetarëve duhet hetuar dhe ndëshkuar një orë e më parë”, deklaroi Alizoti.

Ai theksoi se “është detyra e SPAK të tregojë se askush nuk është mbi ligjin dhe se forcat e rendit nuk mund të përdoren në shkelje të ligjit kundër qytetarëve”. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.