Primet nga sigurimet e jetës, 38 % më të larta së në 2020-ën

TIRANË, 2 gusht/ATSH/ Të ardhurat nga sigurimi vullnetar, gjatë periudhës janar-qershor të këtij viti arritën mbi 3.7 miliardë lekë, ose 26.61 % më shumë se në të njëjtën periudhë të 2020-ës.

Por ndryshe nga të ardhurat, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) raportoi se numri i kontratave të sigurimit vullnetar u ul me 4.24 %, krahasuar me periudhën janar-qershor 2020.

Referuar raportit periodik të AMF-së, të ardhurat e sigurimit vullnetar të Jo-Jetës gjatë periudhës janar-qershor 2021, patën rritje me 24.32% kundrejt 2020-ës.

Sigurimi i pronës, përgjegjësive e garancive, të cilat gjatë periudhës janar-qershor 2021 arkëtuan mbi 1.9 miliardë lekë të ardhura në total, vendin e parë e zunë zjarri dhe dëmtime të tjera në pronë me rreth 64.76 %, të pasuara nga sigurimi i përgjegjësisë së përgjithshme me 25.89 % të totalit.

Në portofolin sigurimi nga zjarri dhe forcat e natyrës, gjatë periudhës janar-qershor 2021, vihet re një rritje prej 42.65 % e vëllimit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një rritje me 11.25 % e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me periudhën janar-qershor 2020.

Edhe të ardhurat nga sigurimet në aksidente dhe shëndet, gjatë periudhës janar-qershor 2021, arritën në rreth 625 milionë lekë, duke shënuar një rritje prej 8.41 % në krahasim me periudhën janar-qershor 2020.

Primet nga sigurimet e jetës gjatë periudhës janar-qershor 2021, arritën rreth 678 milionë lekë, ose 38.36% më shumë se në periudhën janar-qershor 2020. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.