Përfundon 50 % e punimeve në lotin II të Unazës së Madhe


TIRANË, 2 gusht/ATSH/ Në Unazën e Madhe të Tiranës po punohet pa pushim për të përmbyllur sa më shpejt këtë vepër të rëndësishme për kryeqytetin.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku inspektoi punimet në lotin II, segmenti i mbikalimit te “Pallati me Shigjeta” – sheshi “Shqiponja”, ku deri tani janë realizuar 50 % e punimeve e ku po avancojmë përditë për ta përfunduar e vendosur në dispozicion të qytetarëve.

“Është vlerësuar hapja e segmentit, të mbikalimeve në lotin e dytë edhe ecurinë e punimeve e kemi 50 %. Në unazën e Tiranës, në lotin e dytë dhe të tretë, të gjitha pjesët që janë hapur janë përfundimtare dhe nuk kemi asnjë plan t’i mbyllim. Devijimi i trafikut është një vendim që merr ARRSH për t’i mundësuar kompanisë të punojë dhe qytetarëve të kalojnë. Ashtu si në të gjitha projektet që janë nisur në Unazën e Tiranës, është dashur të rishikohet projekti. Kemi bërë ndërhyrjet e duhura sa i përket trotuareve, ndriçimit”, deklaroi ministrja.

Sipas ministres Balluku, për të gjitha projektet brenda zonave urbane janë pasqyruar të gjitha kriteret që infrastruktura kërkon në zonat urbane.

“Jam shumë e kënaqur me nivelin e ecurinë dhe raportet që marr nga ARRSH për cilësinë e punimeve. Janë marrë të gjitha masat për mbledhjen e ujërave dhe kullimin e tyre, që të mos kemi përmbytje në kohën e vjeshtës dhe dimrit, duke qenë se në këtë vepër kemi mjaft tunele dhe nënkalime. Kemi vënë një afat që është 31 gushti për të hapur lotin 1. Po ashtu në këtë afat ne hapim tunelin 5 dhe më pas vazhdojmë me të gjitha dorëzimet e pjesëve të tjera”, tha ministrja.

Ministrja informoi se në pjesën lindore, pjesa e segmentit nga TEG-u deri te Materniteti i Ri do të përfundojë brenda vjeshtës, që të lidhim të gjitha lotet.

“Janë dashur ndërhyrje dhe vepra arti për 2.3 km, që nuk bëhen as në 60 km. Unaza e Madhe e Tiranës do marrë një formë që të nisim procedurat për sa i përket pjesës së re, për të lidhur sheshin “Shqiponja” me “Bulevardin e ri””, u shpreh Balluku. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.