Kurti: Disa duan që të mos vendosim reciprocitetin me Serbinë

PRISHTINË, 2 gusht/ATSH/- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka përsëritur se reciprocitetin me Serbinë do ta vendosin pasi të jenë të përgatitur mirë dhe që i njëjti mos të dështojë.

Në seancën e së hënës të Kuvendit të Kosovës, Kurti ka debatuar me deputetin e PDK-së, Fadil Nura, i cili i ka thënë se tani Kurti është në kundërshtim me premtimet që i ka dhënë muaj më parë.

“Zoti kryeministër, për vëmendjen tuaj Brukseli nuk e ka premtuar reciprocitetin, e jeni premtuar ju, dhe nuk e di a me i besu atij Albin Kurtit të 12 shkurtit, apo këtij Albinit këtu që na dha përgjigjen, sepse jeni krejtësisht i kundërt me vetveten tuaj dhe kjo po dëshmon se atribut i politikës suaj është asgjë tjetër përveçse gënjeshtra. Dua me pas unë gabim në këtë rast, por këtë po e dëshmoni në çdo përgjigje që po e jepni”, ka thënë Nura, i cili e ka pyetur Kutin se çfarë po ndodh me premtimin për vendosjen e reciprocitetit me Serbinë.

Në përgjigjën e tij, Kurti ka kritikuar kundërshtarët politik nga opozita se duan që reciprociteti të dështojnë.

“Mua shumë më pëlqen deputeti Nura kur insiston për reciprocitet, si deputet i mirë i Republikë, por për këtë çështje në parti të gabuar. Më 7 dhjetor të vitit 2011, tre deputetë që tre janë këtu në sallë tash në grupin tuaj parlamentar kanë votuar kundër reciprocitetit, nuk po ua përmendi emrat, në mbledhje të grupit e diskutoni, ndërkaq me 20 janar të vitit 2012 pesë deputetë që katër qenkan këtu, pesë kanë votuar më 20 janar 2012 kundër reciprocitetit me Serbinë. Ne do ta vendosim reciprocitetin me Serbinë, dhe kjo nuk ka diskutim, por nuk duam të dështojmë, e ka të tillë që duan që ne të dështojmë dhe mos të vendoset reciprociteti me Serbinë”, ka thënë Kurti.

Sipas Kurtit, vendosja e reciprocitetit do të përgatitet mirë në mënyrë që mos të dështojë.

“Ne do të përgatitemi, do ta vendosim reciprocitetin, nuk do të dështojë reciprociteti dhe uroj që ose ju ta ndërroni qëndrimin si grup parlamentar në përputhje me vullnetin e deputetit Nura, ose deputeti Nura të mos vazhdojë të qëndrojë në partinë e gabuar edhe më tej”, ka thënë Kurti./KosovaPress/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.