Drejt shuarjes zjarri në Pashaliman, Mamaj për ATSH: Ndërhyrje edhe në Dukat, Kuç dhe Karaburun

TIRANË, 2 gusht/ATSH-Maela Marini/ Situata nga zjarri në zonën e bazës detare të Pashalimanit në Vlorë është vënë nën kontroll falë ndërhyrjes me helikopter, ndërkohë që po punohet për shuarjen e vatrave të tjera të zjarrit në këtë qark.

Në një prononcim për ATSH-në, prefekti i qarkut të Vlorës, Flamur Mamaj foli për situatën e zjarreve dhe vatrat e tjera të rrezikshme në këtë qark.

Mamaj tha se në bazën e Pashalimanit është ndërhyrë me helikopter dhe situata është vënë nën kontroll.

Ndërkohë, Mamaj theksoi se tashmë pritet ndërhyrja e helikopterit në fshatin Dukat të Vlorës, ku kemi një tjetër vatër të rrezikshme zjarri.

“Aktualisht vijon ndërhyrja për vënien nën kontroll të vatrave të zjarrit në Radhimë dhe Kuç. Një tjetër vatër e rrezikshme mbetet ajo në Karaburun”, tha Mamaj për ATSH-në.

Ai theksoi se në terren janë angazhuar 50 forca ushtarake, 10 forca nga ADZM dhe 5 nga Njësia Administrative Orikum.

“Shpresojmë që shumë shpejt të vendosim nën kontroll të gjitha vatrat e zjarrit, falë edhe ndërhyrjes së helikopterit”, tha Mamaj.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.