Braçe, apel qytetarëve: Vaksinohuni edhe me dozën e dytë antikovid

TIRANË, 2 gusht/ATSH/ Zv.kryeministri Erion Braçe apeloi sot qytetarët që të vaksinohen për t’u mbrojtur nga COVID-19.

“Mos ki frikë! Çohu e shko bëj vaksinën! Doza e dytë është jetike, thjesht doza e parë nuk të mbron!”, u shpreh Braçe nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, duke sjellë edhe shifrat e vaksinimit në Lushnjë e Divjakë..

Nga 15 mars 2021 deri më 31 korrik 2021, në bashkitë Lushnjë e Divjakë, janë bërë 58204 vaksina. Në Lushnjë 36355 vaksinime. Doza të para janë dhënë 17304, doza të dyta 19051. Në Divjakë 21849 vaksinime: doza të para 15030, doza të dyta 6819.

“Siç e shihni; kemi problem në Divjakë. Njerëzit duhet të bëjnë dozën e dytë patjetër! Vetëm me dozën e parë mbrojtja imunitare nuk është e garantuar! Duhet ta bësh dozën e dytë patjetër!”, shtoi Braçe.

“Ndërkohe ti që nuk e ke bërë as dozën e parë akoma, pavarësisht moshës, çohu, shko e bëje! Mos e neglizho duke menduar se fshat është, i izoluar e pa kontakte. Divjaka e gjithë nuk është e izoluar!”, theksoi zv.kryeministri.

“Ku prodhohet e tregtohet kontaktet janë masive! Mjafton një i ardhur të jetë i infektuar dhe ndodh gjëma! A e mbani mend tetor 2020-mars 2021 në Këmishtaj, Mërtish, Mizë, Xeng, Divjakë, Çermë Sektor, Çermë e Sipërme, Grabian me infektime e vdekje? Pa vaksinë rrezikojmë të njëjtin tmerr mes të pa vaksinuarve!”, përfundoi Braçe. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.