TOKIO 2020 – Luiza Gega kualifikohet për finalen e 3 000 metrave me pengesa

TIRANË, 1 gusht/ATSH/ Atletja shqiptare Luiza Gega kualifikohet në finalet e 3 000 metrave me pengesa në Lojërat Olimpike.

Komiteti Olimpik shqiptar duke përcjellë suksesin e atletes shprehet se ajo është
kualifikuar në finalet e 3000 metrave me pengesa në Lojërat Olimpike Tokio 2020.
Gega ka shënuar kohën 9:23:85, duke u renditur e pesta në baterinë e dytë, rezultat ky që e kualifikon direkt në finalen e madhe të 4 gushtit.
Ky është një rezultat fantastik për Shqipërinë.
Rama: Respekt kampionePas kualifikimit të atletes Luiza Gega në finalen e Lojërave Olimpike ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama.

Rama përgëzon atleten teksa thekson se është e para shqiptare në të gjithë historinë e sportit tonë që është kualifikuar në finalen e këtyre lojërave.

“Respekt Kampione. Luiza Gega e para shqiptare në histori që kualifikohet në një finale të atletikës në Lojërat Olimpike”, shprehet Rama.

Veliaj: Për herë të parë në histori
Edhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj postoi një foto me atleten Gega duke e uruar për arritjen.
“Super goca jonë Luiza Gega këtë mëngjes – për herë të parë në histori, në disiplinën më të vështirë, një atlete shqiptare del në finale të Olimpikeve me vajzat më të shpejta të botës! Të mërkurën finalja e madhe! Forca!”,shprehet Veliaj.
Kushi: Zemra mal për Luiza Gegën 
Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi përshëndeti suksesin e arritur nga atletja Luiza Gega.
“Zemra mal për Luiza Gegën me rezultatin e saj të jashtëzakonshëm në Tokio 2020 dhe i urojme të gjithë shumë suksese në finale!”, shkruan Kushi.
/j.p/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.