Riatdhesohen 14 fëmijë dhe 5 gra nga kampi Al Hawl në Siri/ Rama: Nuk ndalemi këtu

 

TIRANË, 1 gusht/ATSH-Maela Marini/ 14 fëmijë dhe 5 gra shqiptare të riatdhesuar nga kampi i ferrit Al Hawl në Siri, mbërritën mëngjesin e sotëm në aeroportin e Rinasit, ku u pritën nga kryeministri Edi Rama.

Në një konferencë për shtyp nga mjediset e aeroportit, Kryeministri Rama foli për rëndësinë e këtij operacioni të jashtëzakonshëm që kthehu në atdhe 19 shqiptarë, të cilët ndodheshin në kampet e ferrit në Siri.

“Përmbyllim një operacion të jashtëzakonshëm që na jep mundësinë të çojmë drejt shtëpive 19 bashkëatdhetarë të tjerë nga kampet e ferrit në Siri, këtë herë 5 gra dhe 14 fëmijë, të cilët mundëm t’i shkëpusim pas një përpjekje të gjatë. Ky ishte një operacion i  ndërlikuar, me shumë vështirësi dhe jo pak rreziqe, që u realizua edhe falë ndihmës së posaçme nga Konsulli ynë i Nderit në Liban dhe gjenerali Abass Ibrahim”, tha Rama.

Ndërsa e cilësoi një ngjarje pozitive, Kryeministri siguroi se “nuk do të ndalemi deri këtu”.

“Ka edhe një operacion tjetër për t’u zhvilluar me një numër që ende nuk e dimë saktësisht sepse është një punë terreni për të gjetur personat në ato vrima të zeza ku gjenden, por llogarisim një numër pak a shumë të njëjtë me këtë të sotmin, ndoshta pak më i vogël, duke menduar se më shumë se sa gjysma tanimë është marrë dhe është në vendin tonë”, shtoi ai.

Kryeministri vlerësoi se “rol të rëndësishëm në këtë operacion kanë luajtur struktura e Antiterrorit në Ministrinë e Brendshme dhe Policia e Shtetit”.

“Ministrin e Brendshëm e falënderoj, pasi prej muajsh ka ndjekur operacionin dhe ka bërë dhe një vizitë të posaçme në Bejrut ku ka folur nga afër me gjeneralin Abass dhe të tjerët”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “ky është një zotim që është i gjallë qysh kur është shfaqur ky problem dhe po e mbajmë me këmbëngulje dhe padiskutim do e mbajmë deri në fund”.

I pyetur lidhur me projektet e qeverisë për riintegrimin e tyre në shoqëri, Rama tha se “faktikisht tani ata janë marrë nga strukturat tona të posaçme të kombinuara të Policisë së Shtetit dhe të Mirëqenies Sociale dhe do t’i drejtohen një strukture enkas të përgatitur për ta në Durrës, ku do të bëhen ekzaminimet mjekësore dhe psikologjike. Do të kryejnë një  periudhë të shkurtër karantinimi dhe sipas rastit do të çohen ose nëpër shtëpi, ose do të qëndrojnë në struktura të posaçme. Por bëhet fjalë për gra dhe fëmijë dhe kjo e bën më të lehtë këtë punë nga pikëpamja e sigurisë. Ndërsa nga pikëpamja psikologjike dhe shoqërore, kjo kërkon kujdesin e vet dhe ne jemi përgatitur siç kemi bërë edhe më parë”.

Kryeministri theksoi se operacione të kësaj natyre janë shumë të vështira sepse nuk zhvillohen në terrene miqësore, por forcash që janë në luftë me njëra-tjetrën.

“Këto nuk janë kampe pushimi jo e jo, por as shtetërore. Janë kampe lufte të sistemuara në mënyrë gjysmë të improvizuar dhe me autoritete që variojnë. Në këtë drejtim puna që bëhet është e dyfishtë me ata që administrojnë kampet dhe punë inteligjente me persona të infiltruar për të mbledhur informacion. Brenda kampit ka dinamika nga më të ndryshmet, ka njerëz pengje të të tjerëve brenda një situate ferri. Të gjitha këto e bëjnë operacionin shumë kompleks. Ka pasur vërtetë rrezik edhe për jetën e personave të përfshirë në operacion. Ky është kompleksiteti”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se bëhet një punë e përditshme e vazhdueshme. “Është një punë edhe kërkimore. Ne kemi çuar një numër të caktuar profilesh prej fillimit kur kemi vënë kontaktet edhe me ndihmën e Konsullit tonë në Liban, por ato profile ne i disponojmë nga koha e mëparshme, një pjesë kanë gjetur vdekjen, një pjesë tjetër janë fëmijë e gra dhe ish-luftëtarë por ata gjenden në burgje”, tha Rama.

Ndaj, ai theksoi se “është e paqartë se sa sa është numri i atyre që mbetet për t’u tërhequr”.

Lidhur me personat që refuzojnë riatdhesimin, Rama tha se “deri tani janë shfaqur raste sporadike”.

“Janë dy raste që ne njohim. Nuk jap emra e identitete personash që kanë refuzuar, por nga informacionet e marra në rrugë inteligjente janë pengje brenda kampeve, nuk shkëputen dot sepse kanë frikë se gjatë momentit të shkëputjes mund t’iu marrin jetën. Janë 2 persona të identifikuar”, tha ai.

Rama sqaroi se riatdhesimi ka një bazë vullnetare dhe jo tërheqje me forcë të personave, sepse nuk është ky qëllimi ynë, por po ashtu tërheqja me forcë është e pamundur edhe sikur ky të ishte qëllimi.

/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.