Fusha e mbetjeve në Fier nën kontroll të plotë, Subashi: Nisim mbjelljen e pemëve

 

TIRANË, 1 gusht/ATSH/ Zjarri që përfshiu vendgrumbullimin e mbetjeve në Fier është vënë plotësisht nën kontroll, duke i dhënë fund situatës së rënduar mjedisore.

Në një prononcim për mediet, kryetari i bashkisë Fier, Armando Subashi deklaroi se “jo vetëm që është fikur zjarri dhe eliminuar tymi, por fusha është kapsuluar duke i dhënë fund një herë e përgjithmonë kësaj problematike”.

Subashi tha se duke filluar nga pasditja e së hënës mbetjet e qytetit dhe njësive do të shkojnë pranë inceneratorit, aty ku pritet të nisë edhe trajtimi i tyre.

“Përfundimisht mund t’ju komunikoj se e gjithë fusha e mbetjeve prej 70-80 mijë metra katror është në kontroll të plot. Sot nuk ka as flakë, tymi është në kontroll të plotë. Puna vazhdon ende se është një proces që ka nisur. Për shkak të asaj që ndodhi, u shpejtua në kohë se e kemi planifikuar që ta mbyllnim këtë fushë nga fundi i muajit gusht, por ngjarja i shpejtoi gjërat. Sot kemi disa lajme të mira. Fusha nuk përbën më asnjë rrezik dhe nuk çliron asnjë tym të dëmshëm. Do të vijojmë me hedhjen e shtresave të dheut”, tha Subashi.

Më e rëndësishme, sipas tij, është se “do të punojmë gjatë gjithë këtyre muajve për mbjelljen e pemëve”.

Subashi tha se “sipas një llogarie, do të mbillen 5000-7000 pemëve në të gjithë këtë fushë, e cila do të kthehet në një ambient kreativ”.

“Këto ditë kemi qenë në bisedime intensive edhe me koncesionarin dhe ndoshta nesër pasdite të gjitha mbetjet që krijohen në Bashkinë e Fierit do të transferohen në incenerator. Ai do të vërë disa mjete në dispozicion derisa Bashkia të përfundojë procedurat që kemi nisur qoftë për rrugën, qoftë për stacionin e transferimit të mbetjeve. Sipas kësaj marrëveshje, thjesht do të përgjigjemi për largimin e mbetjeve këtu, pastaj e gjithë pjesa tjetër i takon koncesionarit. Përfundimisht në të gjithë këtë zonë, nga nesër e tutje nuk do të depozitohet asnjë mbetje. Këtu kemi krijuar vetëm një stacion provizor dhe do të shkojë në drejtim të inceneratorit. Këtu mbetjet mund të rrinë shumë pak minuta”, tha ai.

Subashi theksoi se “këto janë disa momente që aktorë dhe faktorë politikë mundohen t’i shfrytëzojnë, edhe për të krijuar një lloj paniku apo frike tek shumë njerëz, por edhe për t’i zmadhuar gjërat”.

“E vetmja zgjidhje që kjo histori të marrë fund është çfarë kemi thënë. Këto lloj fushash kanë prodhuar histori të tilla dhe nëse i mbajmë, histori të tilla do të bëjnë”, tha Subashi.

/m.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.