Dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit, arrestohet 47-vjeçari në Kukës

TIRANË, 1 gusht/ATSH/ Policia e Kukësit zhvilloi me sukses operacionin policor “Morina”, në kuadër të parandalimit dhe goditjes së aktivitetit të dhënies së ndihmës për kalim të paligjshëm të kufijve dhe tranzitimin e shtetasve të huaj në territorin shqiptar, me destinacion vendet e BE-së.

Si rezultat i këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi A. H., 47 vjeç, banues në Tiranë, i cili u kap në aksin rrugor Kukës-Morinë, me automjetin taksi tip “Benz”, duke transportuar shtetas të huaj.

Shtetasi A. H, do t’i transportonte shtetasit e huaj që të kalonin kufirin në mënyrë të paligjshme, të drejtim të Kosovës, kundrejt fitimit.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti tip “Benz” , 200 euro si dhe një telefon.

Ndërkohë, Policia po vijon hetimet për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal./m.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.