Çuçi: Gatishmëri maksimale për të riatdhesuar të gjithë shqiptarët e kampeve siriane

TIRANË, 1 gusht/ATSH/ Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi konfirmoi sot gatishmërinë maksimale për të riatdhesuar të gjithë ata shtetas që ndodhen ende në kampet e ferrit të zonave në konflikt në Siri.

“Në përmbyllje të kësaj përpjekje të tretë, që kishte një sërë rreziqesh dhe vështirërish derisa prekëm më në fund pistën në Rinas, dua të konfirmoj edhe njëherë gatishmërinë tonë maksimale për të riatdhesuar të gjithë ata shtetas që ndodhen ende në kampet e ferrit të zonave në konflikt në Siri”, tha Çuçi, duke iu referuar riatdhesimit të sotëm të 14 fëmijëve dhe 5 grave nga kampi Al Hawl.

Ai siguroi se “ky operacion i tretë i suksesshëm nuk ka për të qenë i fundit”.

“Bashkë me miqtë dhe partnerët tanë në Liban e gjetkë, si dhe përmes strukturave tona të sigurisë do të bëjmë të gjitha përpjekjet për të kthyer mbrapsht ata shqiptarë që u rekrutuan për një luftë që nuk ishte e tyre dhe sidomos fëmijët krejt pa faj që u gjendën aty apo gratë që i besuan marrëzisë së bashkëshortëve”, tha Ministri Çuçi.

Ai theksoi se “vendosmëria jonë për t’i shkuar deri në fund këtij zotimi zë fill sa tek detyrimi kushtetues, po aq edhe te ai moral e njerëzor për t’i shpëtuar njerëzit tanë nga kthetrat e së keqes që la pas lufta”.

“Mirënjohje për këdo që punoi në finalizimin e këtij operacioni historik, që ktheu në tokën amë 14 fëmijë dhe 5 gra”, tha ai. /j.p/

/m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.