COVID-19 – Testet e shpejta të pështymës nuk janë mjaftueshëm të besueshme

PARIS, 1 gusht /ATSH-AFP/ – Autoriteti i Lartë Francez për Shëndetin (HAS) vlerësoi se testet e shpejta të shqyrtimit të pështymës për COVID-19 paraqesin një performancë që është shumë heterogjene.

“Të dhënat e reja në dispozicion (…) zbulojnë një ndryshueshmëri të madhe të rezultateve të marra, duke vënë në dyshim efektivitetin e tyre”, shpjegoi HAS në një njoftim për shtyp.

“Përveç kësaj, tani ekzistojnë alternativa të besueshme, që paraqesin të njëjtat nivele të pranueshmërisë ose shpejtësisë”, shtoi autoriteti.

Të ashtuquajturat teste “të integruara” japin një rezultat mbi praninë ose mungesën e virusit në rreth dyzet minuta, nga një mostër e pështymës.

Të dhënat e reja të analizuara të performancës lidhen me katër teste në dispozicion (EasyCov e shpërndarë nga Skillcell, Genelyzer FII e shpërndarë nga Canon Medical, ID TANI e shpërndarë nga Abbott Diagnostics dhe OptiGene e shpërndarë nga kompania me të njëjtin emër).

Ato tregojnë një nivel të mirë specifikimi, domethënë aftësinë e tyre për të mos arritur përfundimin gabim se një person i painfektuar është pozitiv, me rezultate nga 97 për qind në 99 për qind”.

Nga ana tjetër, të dhënat e ndjeshmërisë, aftësia e tyre për të mos humbur njerëzit e infektuar, janë problematike, pasi këto teste paraqesin rezultate shumë heterogjene, që variojnë nga 30 për qind në 90 për qind, pa ndonjë shpjegim të vërtetë.

Përsa i përket situatave që kërkojnë një rezultat të shpejtë, HAS rekomandon përdorimin e testeve antigjenike dhe kujton se ato mund të kryhen me një mostër nazofaringeale, por edhe me një mostër hundore, më pak të thellë, siç është rasti në vetëtestimet./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.