Zjarret në Vlorë, Drejtoresha e Zonave të Mbrojtura: Rreth 80 punonjës të angazhuar

TIRANË, 31 korrik/ATSH/- Rreth 80 punonjës nga FA-të, zjarrfikës, të Zonave të Mbrojtura, prefekturës si dhe nga njësia administrative Orikum janë angazhuar për shuarjen e vatrave të zjarrit në qarkun e Vlorës.

Në një prononcim për mediet, Lorela Lazaj drejtoreshë  e Zonave të Mbrojtura në Vlorë tha se “situata është kritike, por në krahasim me ditën e djeshme ka një trend përmirësimi”.

“Jemi në ditën e 5 të zjarrit dhe e vetmja ndërhyrje është bërë nëpërmjet tokës me personel të qarkut Vlorë, punonjës të Administratës Rajonale të Zonave të Mbrojtura, nga njësia administrative Orikum, zjarrëfikës, baza e Pashalimanit dhe ushtria. Sot janë gati 80 persona që janë shpërndarë në perimetrin e zjarrit dhe po mundohen që ta izojojmë atë në segmente të ndryshme”, tha ajo.

Lazaj theksoi se “po punojnë në kushte atmosferikë shumë të vështira edhe për shkak të temperaturave të shumë të larta dhe erës që e favorizon flakët”.

“ Dyshojmë se ka një sipërfaqe prej 500 hektarë të djegur, por ende nuk kemi një raport përfundimtar. Pjesa më e madhe janë fond kullosor dhe shpresojmë që vlera e dëmit e këtij zjarri të jetë sa më e ulët”, tha Lazaj.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.