Zhvillimi dhe prodhimi në vendburimin Patos-Marinzë, nuk miratohet plani i “Bankers”

TIRANË, 31 korrik/ATSH/ Komiteti Këshillimor pranë shoqërisë Albpetrol nuk miratoi planin e paraqitur nga kompania “Bankers” për zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve në vendburimin Patos-Marinzë.

Komiteti i përbërë nga përfaqësues të Albpetrol, ku të pranishëm ishin edhe përfaqësues nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE) dhe nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore (AKBN) kërkoi të shtohen investimet në dy drejtime të rëndësishme, atë të prodhimit dhe mjedisit.

“Pala shqiptare kërkoi nga “Bankers” një vizion për të ardhmen e këtij vendburimi, një plan aktiv për investime që mundësojnë rritjen e prodhimit. Kjo pasuri natyrore e shqiptarëve duhet të japë një kontribut më të madh dhe një plan që nuk përmban investime të mjaftueshme për rritjen e prodhimit nuk është i pranueshëm”, bëri të ditur Albpetrol.

Sipas Albpetrol, problemi tjetër thelbësor në takim ishte ai i mjedisit.

“Nuk mund të lejohet që problemet mjedisore të mos jenë në qendër të vëmendjes. Kompania “Bankers” duhet të kryejë investimet e nevojshme dhe të ketë plane konkrete ku përcaktohen datat dhe veprimet e duhura për eliminimin e mbetjeve dhe rehabilitimin e zonës”, bën të ditur Albpetrol.

Albpetrol sh.a është kompania shtetërore e ngarkuar me monitorimin e Marrëveshjeve Hidrokarbure të lidhura me kompanitë koncesionare.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.