Vendimi i qeverisë për truallin e Teatrit, Veliaj: Vijojmë procedurat për ndërtimin e tij

TIRANË, 31 korrik/ATSH/ Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj reagoi sot lidhur me vendimin e qeverisë për kalimin e truallit të Teatrit Kombëtar bashkisë duke theksuar se “na mundëson të vazhdojmë me procedurat për ndërtimin e Teatrit”.

Në një prononcim për mediet nga Tokio, ku ndodhet për Lojërat Olimpike, Veliaj tha se
“është reflektim i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për ta bërë siç duhet VKM-në e Teatrit duke qenë se teatri i vjetër fizikisht nuk ekziston është vetëm trualli ai që kalon dhe jo trualli me një ndërtesë që tani nuk ekziston më. Është korrektuar sipas Gjykatës Kushtetuese kalimi i pronës tek bashkia e Tiranës që na mundëson të vazhdojmë me procedurat për ndërtimin e Teatrit. Nuk bien ndesh me njëra-tjetrën vendimet e qeverisë me vendimin e Gjykatës Kushtetuese”.

“Meqë jemi në Tokio ajo që kam kuptuar në vende të tilla është që kombet ecin përpara kur nuk bllokohen projektet e mëdha. Stadiumi këtu nuk është aq ndryshëm apo më i madh dhe më i bukur se Arena Kombëtare. Diferenca është që ne i bëjmë ndryshimet me shumë dhimbje. Stadiume si ky bëjmë dhe ne, e kemi bërë në Tiranë”, theksoi Veliaj.

Këshilli i Ministrave vendosi dje në mbledhjen e tij kalimin në pronësi të bashkisë Tiranë të truallit të Teatrit Kombëtar./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.