Trualli i Teatrit Kombëtar i kalon në pronësi Bashkisë Tiranë

TIRANË, 31 korrik/ATSH/ Këshilli i Ministrave vendosi kalimin në pronësi të bashkisë Tiranë truallin e Teatrit Kombëtar.

Me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave vendosi dje kalimin në pronësi të bashkisë Tiranë, të pasurisë nr.1/241, lloji “truall”, në zonën kadastrale 8150, Tiranë, me sipërfaqe totale 5 522.7 (pesë mijë e pesëqind e njëzet e dy pikë shtatë) m2, me adresë: rruga “S. Toptani”, Tiranë, sipas kartelës së pasurisë dhe fragmentit të hartës kadastrale, që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Sipas vendimit të qeverisë bashkisë Tiranë i ndalohet të ndryshojë destinacionin e pasurisë së përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, ta tjetërsojë atë apo t’ua japë të tretëve në përdorim.

Pasuria e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, i shtohet listës përfundimtare të pjesshme të pronave të paluajtshme publike shtetërore, miratuar me vendimin nr.219, datë 21.3.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës përfundimtare të pjesshme (pjesa e parë + pjesa e dytë) të pronave të paluajtshme publike shtetërore, që transferohen në pronësi ose në përdorim të njësisë administrative Tiranë, bashkia Tiranë, të Qarkut të Tiranës”, të ndryshuar.

Për zbatimin e këtij vendimit ngarkohen Ministria e Kulturës, bashkia Tiranë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.