Restaurim i Kishës së Shën Gjergjit në Berat

TIRANË, 31 korrik/ATSH/- Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale ka miratuar projektin për restaurimin e Kishës së Shën Gjergjit në qytetin e “një mbi një dritareve”.

Ministrja e Kulturës Elva Margariti bën të ditur se ndërhyrjet do të konsistojnë në restaurimin dhe konsolidimin e fasadës dhe çatisë së kishës që i përket shek. XVIII në Berat.

Margariti shprehet se edhe pse shumë pak ka mbetur nga ndërtimi origjinal, ky objekt është dëshmi edhe disa etapave historike që ka kaluar jo vetëm ky objekt, por edhe vendi ynë dhe se si diktatura shkatërroi objektet e kultit, duke i shndërruar në magazine, pallate sporti apo i shembi.

“ Kjo kishë në vitet ’80, u transformua në një rezidencë dhe pikë turistike qeveritare dhe si rrjedhojë u shemb pjesa e sipërme e kishës, për të ndërtuar një imitim të shtëpisë karakteristike beratase. Nga gjurmët që ruhen ende sot, duken muret origjinalë në katin përdhe, ku janë përdorur brezat e tullës së kombinuar me gurë”, thekson ministrja.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.