Rama në Liban: 5 gra dhe 14 fëmijë shqiptarë nga kampet e vdekjes në Siri, nesër në Shqipëri

TIRANË, 31 korrik/ATSH/- Kryeministri Edi Rama ndodhet në Beirut, Liban për operacionin e shpëtimit nga kampi i ferrit në Al Hol dhe kthimin e fëmijëve e grave të tjera në atdhe.

Rama bën të ditur se 5 gra dhe 14 fëmijë shqiptarë nga kampet e vdekjes në Siri do të rikthehen nesër në Shqipëri.

“5 gra dhe 14 fëmijë shqiptarë nga kampet e vdekjes në Siri, nesër në Shqipëri, falë një operacioni të gjatë e të ndërlikuar inteligjence në terren dhe ndihmës së paçmueshme të gjeneralit Abass Ibrahim. Faleminderit Shukran”, shprehet kryeministri Edi Rama.

Në një prononcim për Top Channel, kryeministri u shpreh se “është bërë një operacion i gjatë shumë palësh për t’ia arritur kësaj dite”.

“E rëndësishme është që janë 14 fëmijë dhe 5 gra, pengje të atij kampi të ferrit, për të cilët ne kemi punuar pa pushim, që nga dita e parë e rikthimit nga operacioni i dytë. Është një operacion tejet i ndërlikuar për shumë arsye, por falë lidhjes së ngushtë që unë kam vendosur me gjeneralin Abass këtu dhe falë bashkëpunimit të ngushtë, mes ministrisë së Brendshme dhe autoriteteve këtu dhe ndjekjes nga afër të të gjithë procesit nga ministri ynë i Brendshëm, sot e kurorëzojmë këtë operacion. Unë jam këtu për t’i marrë fëmijët dhe gratë dhe për t’i rikthyer nesër në atdhe”, theksoi kryeministri Rama.

Rama pohoi se që nga evakuuimi i dytë e deri më sot ka qenë në kontakt të vazhdueshme me këshilltarin e tij për t’i kërkuar informacione.”Është pjesë e punës sime, është një punë që vazhdon papushim edhe pse kërkon një kohë të gjatë. Por, ajo që ka rëndësi është se zotimi për t’i rikthyer të gjithë, është një zotim që mbahet dhe do të mbahet deri në fund. Tani që flasim, ne kemi mundur të tërheqim të gjithë ata për të cilët kemi informacion. Vetëm marrja e informacionit brenda kampit është diçka shumë e vështirë, me shërbime inteligjente, infiltrime. Por gjithsesi lajmi i mirë është se nesër këto pengje kthehen në Shqipëri”, theksoi kryeministri.

“Gjithsesi jam i kënaqur që e kurorëzojmë sot, me ndihmën e Zotit sepse ende presim që fëmijët dhe gratë të vijnë këtu, këtë përpjekje të tretë me një numër shumë më të konsiderueshëm dhe zotimi mbetet i gjallë që deri në fund, deri tek shqiptari dhe shqiptarja e fundit ne do të bëjmë çmos që t’i tërheqim në atdhe”, theksoi Rama.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.