Mineralet zënë 90.5 % të vëllimit të eksporteve drejt Spanjës

TIRANË, 31 korrik/ATSH/ Eksportet e mallrave drejt Spanjës gjatë gjysmës së parë të këtij viti llogariten mbi 11.7 miliardë lekë.

Referuar të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT), në raportin për tregtinë e jashtme rezulton se grupi minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike zë 90.5% të vëllimit të eksporteve gjithsej.

Gjatë kësaj periudhe drejt Spanjës janë eksportuar mbi 10.6 miliardë lekë minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike.

Ndërkohë, për shkak të kufizimeve për parandalimin e përhapjes së infeksionit të COVID-19 vihet re një rënie me mbi 2 herë e eksporteve të grupit tekstile dhe këpucë.

Eksporti i këtij grupi ra në 208 milionë lekë nga 428 milionë lekë që ishte në të njëjtën periudhë të vitit 2020.

Vlera e mallrave të importuara nga Spanja gjatë periudhës janar-qershor llogaritet mbi 5 miliardë lekë nga 4.3 miliardë lekë që u importuan në të njëjtën periudhë të 2020-ës.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.