Investimi strategjik “Hotel Chaonias Deluxe”, qeveria vendim për përdorimin e brigjeve dhe plazhit 

TIRANË, 31 korrik/ATSH/ Këshilli i Ministrave vendosi lejimin për 30 vite të përdorimit të brigjeve të detit dhe të zonës përkatëse të plazhit në funksion të realizimit të projektit investues strategjik “Hotel Chaonians DeLuxe”, në Dhërmi, Himarë.

Investitori ka përfituar statusin “Investim/investitor strategjik procedurë e asistuar”.
Sipas vendimit të qeverisë, Bashkia Himarë ka detyrimin që brenda 15 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës së investitorit strategjik “Ilir Trebicka”, të lidhë kontratën përkatëse për lejimin e përdorimit të brigjeve të detit dhe të zonës përkatëse të plazhit përballë kompleksit, në përputhje me sipërfaqet e destinacionin e kërkuar nga subjekti, të lejuara me vendimin e datës 4 shkurt të këtij viti të Komitetit të Investimeve Strategjike, dhe të konfirmuara më tej nga Bashkia Himarë.

Investitori duhet të paraqesë pranë Bashkisë Himarë kërkesën, planvendosjen e sipërfaqes, për të cilën subjekti kërkon të lidhë kontratë me njësinë e vetëqeverisjes vendore dhe përshkrimin e aktivitetit që do të realizojë në sipërfaqen për të cilën kërkon të lidhë kontratë.

Sipas vendimit, përdorimi i brigjeve dhe i zonës përkatëse të plazhit përballë kompleksit do të kryhet përgjatë periudhës së sezonit veror, të përcaktuar në aktet nënligjore në fuqi për turizmin, përkundrejt pagesës së tarifës, në përputhje me tarifën e plazheve, të përcaktuar në vendimin e Këshillit Bashkiak Himarë.

Të ardhurat e mbledhura nga tarifa për dhënien e së drejtës së përdorimit të brigjeve dhe të zonës përkatëse të plazhit përballë kompleksit administrohen dhe bëjnë pjesë në buxhetin e Bashkisë Himarë.

“Në këtë kontratë duhet të parashikohen shprehimisht të drejtat e detyrimet e autoritetit kontraktues dhe të drejtat e detyrimet e investitorit, në funksion të projektit të investimit strategjik, si dhe penalitetet përkatëse. Kontrata për dhënien me qira të përdorimit të brigjeve të detit dhe të zonës përkatëse të plazhit përballë kompleksit, të ketë afat një periudhë 30-vjeçare, me kusht që investitori të mos ndryshojë destinacionin e pronës (përfshirë, por pa u kufizuar, ndërtimin, dhënien më qira palëve të treta)”, përcaktohet në vendim.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.