Glikoja e llokumja e bajames së Përmetit, përfaqësojnë Shqipërinë në panairet ndërkombëtare

TIRANË, 31 korrik /ATSH/ Prodhimi i produkteve artizanale është një traditë e hershme e vendit tonë. Një sërë qytetesh njihen për prodhimin e produkteve tipike shqiptare, çka i bën të zhvilluar edhe në industrinë e turizmit kulinar.

Sot prodhimet tipike, tradicionale të zonave, të prodhuara kryesisht me dorë nga gratë, janë një aset i çmuar jo vetëm për ekonominë familjare por me impakt në nxitjen e agroturizmit dhe eksporteve ‘Made in Albania”.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi bashkë me koordinatoren e përhershme të UN për Shqipërinë Fiona Mc Cluney, vizituan ditët e fundit, punishten tradicionale të glikove dhe llokumeve në Përmet.

Kjo punishte është ngritur që në vitin 1992 nga dy zonjat, Odeta dhe Eftalia, dy sipërmarrëse të suksesshme që promovojnë vazhdimin e traditës.

Ekonomi u shpreh se, “falë menaxhimit të mirë dhe punës cilësore të 20 grave të punësuara në punishte, produket tradicionale të Përmetit, glikoja e llokumja e bajames, kanë gjetur treg shitje brenda e jashtë vendit, duke përfaqësuar denjësisht Shqipërinë dhe në panairet ndërkombëtare”.

Ministrja tha se, tashmë kemi një ligj për skemat e produkteve ushqimore dhe bujqësore. Ndërsa informoi se ka nisur procesi i identifikimit të produkteve tradicionale në 6 rajone, Dibër, Shkodër, Korçë, Gjirokastër, Vlorë dhe Tiranë, duke përgatitur grupet e para të prodhuesve të produkteve tipike që certifikohen si specialitete tradicionale të garantuara, tregues gjeografikë apo produkte të origjinës.

Sipas saj, ndërtimi dhe zhvillimi i bizneseve të cilësisë bënë të mundur identifikimin, certifikimin, monitorimin dhe mbrojtjen në treg të produkteve që gëzojnë statusin e produkteve tradicionale të aksesueshme në mbi 100 ferma turistike në mbarë vendin.

Një shportë produktesh shqiptare të certifikuara ndikon direkt në zhvillimin e agroturizmit.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.