Gati atlasi molekular i qelizave të trurit, një revolucion biologjik

LOZANË, 31 korrik /ATSH-ANSA/ – Atlasi molekular që harton zhvillimin e qelizave të trurit është gati.

I marrë falë një studimi te kaviet, ai siguron informacion të vlefshëm për luftën kundër sëmundjeve neurodegjenerative dhe zhvillimore.

Rezultati është botuar në revistën ”Nature” nga Politekniku Federal i Lozanës (EPFL) dhe instituti ”Karolinska” i Stokholmit, nën drejtimin e një studiueseje të re italiane, biologes Gioele La Manno, drejtuese e laboratorit të biologjisë të sistemeve neuro-zhvillimore.

Për të monitoruar evolucionin e qelizave individuale dhe për të gjetur rrugën e tyre të diferencimit me kalimin e kohës, studiuesit analizuan mostrat e trurit të marra çdo ditë nga embrionet e miut nga dita e shtatë e zhvillimit deri në lindje.

Duke kombinuar teknikat e sekuencimit gjenetik me metodat matematikore, ata ishin në gjendje të përcaktonin 290 000 profile me shprehjen e gjeneve të qelizave të vetme në secilën pjesë të trurit, duke marrë 800 ”pamje” që tregojnë qelizat e përfshira në programe të ndryshme diferencimi.

Kështu ishte e mundur të përcaktohej koha me të cilën qelizat e para nervore (neuroblastet, të përfshira në funksionet motorike dhe shqisore) zhvillohen dhe se si qelizat specifike gliale orkestrojnë zhvillimin e qelizave fqinje.

Studiuesit gjithashtu identifikuan popullata qelizore të madhësive shumë të ndryshme, disa edhe njëqind herë më të shumta se të tjerat: ndër grupet më të mëdha ekziston ajo e neuroneve ngacmuese të pjesës së përparme të trurit (të përfshirë në funksione më të larta njohëse), ndërsa në mesin e grupeve më e vogël është ajo e qelizave ependimale që prodhojnë lëngun që rrethon dhe mbron trurin dhe palcën kurrizore.

Manno shpreson se atlasi, i bërë i arritshëm për të gjithë komunitetin shkencor, do të ndihmojë në identifikimin e gjeneve të përfshira në sëmundjet e zhvillimit të sistemit nervor dhe tumoret e trurit./ /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.