COVID-19 – Gjermania shton fushatën e vaksinimit përballë valës së katërt

BERLIN, 31 korrik /ATSH-DPA/ – Politikanët dhe shoqatat gjermane po promovojnë vaksinimet kundër COVID -19 me energji të shtuar, ndërsa viti i ri shkollor po afrohet dhe interesi ndaj vaksinave po zbehet.

Kandidati për kancelar i Socialdemokratëve (SPD), Olaf Scholz tha se “personat tashmë të vaksinuar duhet të bëjnë më shumë për të inkurajuar të tjerët që të ndjekin shembullin e tyre”.

“Ne duhet t’i bindim miqtë tanë që të vaksinohen. Kjo është një çështje që prek secilin prej nesh”, shtoi Scholz.

Ndërkohë, kreu i SPD, Saskia Esken dhe Shoqata Gjermane e Qyteteve bënë thirrje për fushata vaksinimi në shkolla, sapo të fillojë viti i ri akademik.

Deri më tani, 51 për qind e gjermanëve janë vaksinuar plotësisht, por shkencëtarët thonë se kjo nuk është e mjaftueshme për të parandaluar një valë të katërt të rasteve, veçanërisht duke pasur parasysh variantin Delta, që është më i transmetueshëm.

Ritmi i vaksinimit është, gjithashtu, i ngadaltë, me rreth gjysmë milioni doza të administruara përgjithësisht çdo ditë të caktuar, nga 1,5 milionë në maj dhe qershor./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.