Subashi reagon ndaj Bashës: Bëtë të gjitha përpjekjet për të penguar investimin në impiantin e ri

TIRANË, 30 korrik /ATSH/ Kryetari i bashkisë së Fierit, Armando Subashi reagoi sot ndaj deklaratës së kryetarit të PD, Lulzim Basha, lidhur me situatën e ndotjes mjedisore nga zjarri në vendgrumbullimin e mbetjeve në Fier.

“Lulzimi paska reaguar sot për plehrat në Fier!! Po si ka mundësi?! Ku e gjen të drejtën morale?! Lulzimi dhe të “tijët” në Fier që votuan kundër në këshill bashkiak për emergjencën mjedisore te fusha ekzistuese 70-vjeçare, që votuan kundër dhe bënë të gjitha përpjekjet për të penguar investimin e qeverisë për impiantin e ri, që organizuan pafund protesta duke helmuar mendjet e njerëzve për ndërtimin e impiantit të ri, duke e shtyrë rreth 2 vjet në kohë përfundimin e tij, që vazhdojnë të shpifin pafund për gjoja helmimin e ujërave, të ajrit, të tokës nga impianti i ri, sot dalin dhe bëjnë të pafajshmin, apo të paditurin?!”, u shpreh Subashi.

“E kanë të kotë! Edhe pak ditë dhe historia e plehrave për Fierin në atë fushë 70-vjeçare do të marrë fund njëherë e përgjithmonë. Ajo fushë do të jetë një kujtim i hidhur për të gjithë, por në radhë të parë do të jetë njolla e turpit për Lulëzimët që donin ta mbanin gjallë me çdo mjet e mënyrë. Fund plehrave në qytet!”, theksoi Subashi.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.