Kreditimi i biznesit për investime, kryeson energjia

TIRANË, 30 korrik /ATSH/ Energjetika është një nga sektorët që ka shfaqur rritje të shpejta të kreditimit, kryesisht në degën e investimeve private dhe koncesioneve në hidroenergji.

Banka e Shqipërisë, bën të ditur se për 6-mujorin 2021 kredia e re për biznesin shënoi vlerën 68.5 miliardë lekë.

Rritja e kredisë për biznesin është mbështetur nga kredia e dhënë për investime, ku kryesojnë sektorët: energji, ndërtim, tregtia me shumicë dhe pakicë, turizmi dhe aktivitete të tjera shërbimi.

Në totalin e stokut të kredisë për ekonominë, në fund të muajit qershor, energjetika zuri mbi 30 % të huadhënies, duke u renditet sektori me peshën më të lartë të kredisë.

Ndërkohë që investimet në energjetikë, kryesuan edhe në totalin e investimeve të huaja direkte në Shqipëri, për 3-mujorin e parë të 2021, duke sjellë pjesën më të madhe të investimeve, me 28 % të totalit.

Bankierët shprehen se ekonomia këtë vit po shfaq një performancë të përmirësuar, nxitur dhe nga kreditimi i sipërmarrjes që po ndjek ritmet e rritjes progresive, falë edhe planit të përgjithshëm të kredisë që është kalkuluar edhe nga ndërhyrja e BSH-së në mbështetje të biznesit kreditor, në përballimin e situatës së vështirë ekonomike që krijojë Covid-19.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.