Zjarri në Fier, Baçi: Situatë alarmuese, Subashi: Vatrat nën kontroll

TIRANË, 29 korrik/ATSH/ Situata e rënduar mjedisore në Fier për shkak të zjarrit që përfshiu vendgrumbullimin e mbetjeve, ka sjellë reagimin e kryetarit të degës së Partisë Demokratike në Fier, Luan Baçi i cili ka qenë në landfillin e Fierit.

Përmes një deklarate për mediat, Baçi u shpreh se kjo është një situatë alarmante dhe po  ndikon drejtpërdrejtë në shëndetin e qytetarëve.

“Situata është e dukshme tashmë, një situatë vërtet alarmante, e rrezikshme dhe shumë dëmtuese për qytetarët e Fierit. Janë ditë të tëra që qyteti i Fierit është në gjendje katastrofike, tym dhe blozë në çdo shtëpi. Qytetarët janë mbyllur brenda. Nuk është situatë për të bërë politikë dhe unë jam plotësisht dakord me këtë madje më vjen keq që çdokush mundet të  thotë që po bëjmë politikë me këtë fatkeqësi. Kemi ditë që e ndjekim situatën nga afër, e kemi denoncuar duke ofruar edhe ndihmesën tonë se si mund të zgjidhet”, tha Baçi.

Subashi: Situata u mor në kontroll

Ndërkaq, kryetari i bashkisë së Fierit, Armando Subashi u shpreh mbrëmjen e sotme se situata në fushën e mbetjeve, po shkon drejt normalizimit dhe se nesër zjarri do të merret plotësisht nën kontroll.

Subashi tha se e vetmja mundësi është mbulimi i vatrave me dhe.

“Është një ngjarje e rëndë, e konsiderueshme! Nuk mund të themi me siguri nëse është vet ndezur apo i ka vënë dikush flakën. Situata u mor në kontroll, nesër situata do të merret plotësisht në kontroll maksimumi pasnesër vatrat e zjarrit do jenë të gjitha në kontroll të plotë. E vetmja mundësi që kemi është mbulimi i vatrave me dhe”, theksoi ai.

Ai iu përgjigj dhe akuzave të Baçit.

“Ishte një shfaqje e radhës e Luan Baçit ose ka menduar që të duket mirë natën këtu ose i kanë thënë shko bëj një deklaratë atje. Nëse do ta kishte shqetësim, sot është dita e tretë, le të vinin këtu. Pasi ta kalojmë këtë situatë do të bënte përpjekjen minimale për të dhënë një kontribut sado modest për këtë aksion të madh”, tha Subashi. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.