Vetingu, shkarkohet gjyqtari Ken Dhima, konfirmohet në detyrë prokurorja Asko

TIRANË, 29 korrik /ATSH/ Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi nga detyra gjyqtarin e Gjykatës Administrative të Vlorës, Ken Dhima.

Dhima, i cili mungoi në seancën dëgjimore, nuk ishte i pranishëm as në shpalljen e vendimit dhe sipas trupës së kryesuar nga Brunilda Bekteshi, me relatore Pamela Qirko dhe anëtare Suela Zhegu, refuzoi të jepte shpjegime për barrën e provës që i kishte kaluar.

Dhima e ka filluar karrierën në vitin 2003 në Gjykatë e Rrethit Gjyqësor Durrës. Në vitin 2004 ai është transferuar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Shkodër. Në vitin 2013, Dhima është emëruar në Gjykatën Administrative Vlorë.

Po sot Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmoi sot në detyrë prokuroren e Prokurorisë së Tiranës, Denisa Asko.

Asko gjatë seancës së mëparshme dëgjimore u njoh me rezultatet e hetimit administrativ, i cili nuk kishte gjetur probleme në asnjë prej tre kritereve të rivlerësimit, atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit.

Procesi i vetingut për prokuroren Asko u krye nga trupa e kryesuar nga Valbona Sanxhaktari, me relator Lulzim Hamitajn dhe anëtare Genta Tafa Bungon. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Tonçi Petkoviç.

Denisa Asko i përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2010 dhe u emërua si prokurore në Prokurorinë e Shkodrës. Ajo u shkëput nga prokuroria në vitin 2015 dhe pas një periudhe komandimi në Ministrinë e Drejtësisë, u rikthye në detyrë si prokurore e Prokurorisë së Tiranës me vendim të Këshillit të Lartë të Prokurorisë në vitin 2019.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.