Vaksinimi masiv antikovid, mbërrijnë edhe 20 mijë doza të vaksinës AstraZeneca

TIRANË, 29 korrik /ATSH/ 20 mijë doza të vaksinës “AstraZeneca” mbërritën mbrëmjen e sotme në Shqipëri, ndërsa vijon vaksinimi masiv antikovid në të gjithë vendin.

Lajmin e ka bërë të ditur Kryeministri Edi Rama, i cili është shprehur se “20.000 doza të vaksinës AstraZeneca sapo kanë mbërritur në Shqipëri, si gjest solidariteti i qeverisë kroate”.

Rama ka theksuar se, “me 1,699,410 vaksina antiCOVID që kanë mbërritur deri tani në vend dhe sasi të tjera që do të vijnë, jemi të vendosur të çojmë përpara planin kombëtar të vaksinimit, për mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të çdo qytetari”.

Autoritetet shëndetësore intensifikuan apelin për vaksinimin e popullsisë, me hyrjen e variantit Delta në vend. MSHMS apeloi qytetarët të vaksinohen sa më parë, për të frenuar përhapjen e virusit të rrezikshëm. Vaksinat reduktojnë mundësinë e infektimit dhe shmangin në shkallë të lartë hospitalizimet dhe fatalitetet.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.