TURQI – Viktima dhe dëme të mëdha pas zjarreve në Antalia

ANTALIA, 29 korrik /ATSH-AA/ – Zjarret masive në pyjet në qytetin bregdetar turk, Antalia, kanë shkaktuar tri humbje jete.

“Tre persona humbën jetën dhe 122 të tjerë u lënduan nga zjarret në qarkun Manavgat”, tha në një deklaratë Autoriteti i Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD).

“Trajtimi i 58 personave vazhdon në spitale”, shtoi AFAD.

“Shumë shtëpi, vende pune, hambare, toka bujqësore, serra dhe automjete u dëmtuan për shkak të zjarrit”, vazhdoi AFAD, duke shtuar se 12 ekipe po kryejnë aktualisht vlerësimin e dëmeve.

Në përpjekjet për vënien nën kontroll të 10 vatrave të zjarrit janë angazhuar gjithsej 1 832 zjarrfikës, tre avionë, 29 helikopterë dhe vënë në dispozicion 458 cisterna uji.

Ministria e Bujqësisë dhe Pyjeve ka angazhuar gjithashtu një helikopter pa pilot për shuarjen e zjarrit në Manavgat.

Helikopteri pa pilot, i projektuar për të mbështetur pikën e kontrollit përmes kamerës termike dhe sensorëve të tij me rezolucion të lartë, mund të qëndrojë në ajër deri në tetë orë./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.