Të rinjtë promovim shtigjeve natyrore Currila-Porto Romano-Marina Ushtarake

TIRANË, 29 korrik/ATSH/ Të rinjtë e bashkisë Durrës, në kuadër të promovimit të shtigjeve natyrore, kanë organizuar itinerarin tematik, ngjitje/hiking me destinacion Currila – Porto Romano – Marina Ushtarake.

Kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, publikoi sot pamje nga ky itinerar me gjatësi 11 km, që përshkon të gjithë rivierën e kësaj zone, duke ofruar një pamje piktoreske mjaft të rrallë.

“Kjo eksperiencë unike ofron një peizazh të bukur detar me kodrina, me pisha e shkurre bregdetare si dhe tarraca ullishtash që vazhdojnë deri tek kalaja e Hidrovorit”, – tha Sako.

Gjithashtu, ky itinerar ofron edhe plazhe me sipërfaqe të vogla ranore dhe shkëmbore.

Kryebashkiakja Sako u shpreh se “ky itinerar shërben si promotor i mbrojtjes dhe ruajtjes së burimeve dhe vlerave të pazëvendësueshme natyrore të zonës”.

Eksperienca të reja drejt eksplorimit të shtigjeve të tjera natyrore presin të rinjtë durrsakë të apasionuar pas ngjitjeve në mal.

/k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.