SOFJE – Bullgaria përballet me temperatura të larta dhe zjarre

SOFJE, 29 korrik /ATSH-DPA/ – Bullgaria po lufton me zjarret e mëdha në pyje, të shoqëruara me temperatura të larta deri në 40 gradë Celsius.

Rreth 60 hektarë pyje u shkatërruan në një zjarr të madh që shpërtheu pranë Tvarditsa në Bullgarinë qendrore.

“Zjarrfikësit i kanë vënë zjarret nën kontroll, por pa i arritur t’i shuajnë”, raportuan mediet.

Ushtarë dhe vullnetarë u janë bashkuar zjarrfikësve në përpjekjet për të shuar zjarret.

Në të njëjtën kohë, një valë të nxehti përfshiu vendin për herë të dytë këtë verë, duke sjellë rritje të vazhdueshme të temperaturave.

Autoritetet lëshuan sot një paralajmërim të nivelit portokalli për pothuajse të gjithë Bullgarinë, niveli i dytë më i lartë në vend, për shkak të nxehtësisë.

Temperaturat u rritën mbi 40 gradë në qytetin jugperëndimor Sandanski, pranë kufirit me Greqinë.

Temperaturat pritet të rriten më tej në ditët në vijim./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.