Pavarësisht pandemisë, të ardhurat nga doganat shënojnë rekord historik

TIRANË, 29 korrik/ATSH/ Të ardhurat e mbledhura në buxhetin e shtetit nga administrata doganore përgjatë 6-mujorit të parë të këtij viti arritën 84.7 miliardë lekë, duke shënuar rekord historik.

Referuar të dhënave të bëra të ditura për ATSH-në nga DPD, realizimi i të ardhurave tejkaloi planin me 4.8 miliardë lekë, ose rreth 48 milionë dollarë më shumë.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë të ardhurat e realizuara ishin 16.8 miliardë lekë më të larta, ose 168 milionë dollarë.

“Pavarësisht pandemisë, Administrata Doganore ka qenë e angazhuar për realizimin e të ardhurave doganore, me fokus të shtuar sidomos në të ardhurat nga akciza dhe luftën kundër informalitetit, duke synuar uljen e evazionit dhe respektimin e parashikimeve ligjore. Po ashtu DPD u fokusua në lehtësimin e tregtisë, import-eksportit, procedurat e përshpejtuara për importimit e medikamenteve dhe vaksinave. Në mënyrë efektive është përmirësuar zbatimi i ligjit drejt evidentimit të kontrabandës dhe trafiqeve në bashkëpunim me vendet kufitare dhe me asistencën e partnerëve ndërkombëtarë”, bën të ditur DPD.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.