Pandemia, mbi 263 mijë vizita nga mjekët e familjes në 6 muaj

TIRANË, 29 korrik/ATSH/ Që nga fillimi i pandemisë stafi shëndetësor i Kujdesit Parësor ka qenë në gatishmëri për ndjekjen dhe trajtimin e rasteve të dyshuar ose të prekur nga Covid-19.

Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor bën të ditur se sipas sistemit e-Vizita, 1️1️7️ 1️4️9️ pacientë janë ndjekur nga mjeku i familjes në 6 muajt e parë të 2021

Gjithashtu, 2️6️3️ 7️7️2️ vizita janë kryer nga mjekët e familjes për pacientë të dyshuar ose të prekur nga Covid 19

Sistemi e-vizita ka realizuar dixhitalizimin e regjistrimit të vizitave në shërbimin shëndetësor parësor duke mundësuar që mjekët e familjes dhe mjekët specialistë të përdorin sistemin online për të regjistruar vizitën e pacientit duke eliminuar plotësimin e formularëve në letër.

Aktualisht janë dixhitalizuar formulari i vizitave pranë mjekut të familjes, formulari i vizitave të mjekut specialist, formulari i vizitave akute dhe urgjencave, formulari i procedurave mjekësore; formulari i vizitave vetëm me infermier, ai i vizitave pranë mjekëve sezonalë, regjistrimi i pacientëve me COVID-19 nga ana e mjekëve.

Plotësimi i Survejancës dhe ndjekja e pacientit bëhet vetëm nga mjeku i familjes.

Përmes sistemit e-vizita është rritur ndjeshëm saktësia e të dhënave të ruajtura falë ndërveprimeve me sistemet e tjera si dhe implementimit të një formulari të thjeshtë në përdorim nga mjeku.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.