MV – Vuçiç: Nga 2023-i asnjë ndalesë nga Beogradi në Tiranë dhe anasjelltas

SHKUP, 29 korrik /ATSH/ – Nga janari i vitit 2023 lëvizja nga Beogradi në Tiranë do të bëhet pa ndalesë, deklaroi presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç në forumin ekonomik për bashkëpunim rajonal që po zhvillohet në Shkup.

”Me realizmin e nismës rajonale ndërmjet Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Shqipërisë nuk do të ketë kufij për qytetarët e këtyre vendeve”, theksoi ai.

Këtë nismë rajonale, Vuçiç e quajti historike.

”Ne do të përpiqemi dhe do të japim maksimumin tonë për shkak se kjo nuk është shumë e thjeshtë, njëri kusht është të ndërtojmë besimin e ndërsjellë, kushti i dytë është të shohim nëse ne, tri qeveritë tona mund shpejt t’i realizojmë këto rezultate, nëse do të mund t’i tejkalojmë të gjitha dobësitë e administratës”, deklaroi Vuçiç.

”Nëse mund të bëjmë këtë, më 1 janar të vitit 2023 ne nuk do të kemi kufij ndërmjet vendeve tona, gjithsesi do t’i kemi kalimet kufitare, ato do të ekzistojnë, por nuk do të ekzistojnë për qytetarët tanë, thjeshtë do të uleni nga Beogradi do të niseni në Tiranë, askush nuk do të ju ndalë dhe e kundërta, askush nuk do t’ju pyesë për asgjë, askush nuk do të ju ndalë për kontrolle”, shtoi Vuçiç./ /kosovapress/  a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.