MV – ​Zaev: Vetëm një rajon i ndërlidhur mund të lëvizë drejt anëtarësimit në BE

SHKUP, 29 korrik /ATSH/ – Vetëm me një rajon të ndërlidhur dhe të integruar mund të lëvizet drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, deklaroi sot kryeministri i MV, Zoran Zaev në forumin ”Ballkani i hapur” në Shkup.

”Jam këtu që të flas për qytetarët tanë, për vendet tona, për idetë tona dhe për Ballkanin tonë evropian, për Ballkanin Perëndimor, për këtë rajon të hapur, për një rajon dhe nismë e cila sot do të prezantohet me një emër të ri, emër i cili pasqyron realitetin e ri që promovohet sot nga të gjithë ne këtu. Liderët, qytetarët e Shqipërisë, Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe vendeve të tjera nga rajoni gjithë së bashku i japin një impuls të ri të hapësirës së re ekonomike të tregut të ndërlidhur ekonomik”, tha Zaev.

Ai tha se nisma është me vlera evropiane dhe përfshin katër liritë e Bashkimit Evropian, lirinë e lëvizjes së njerëzve, mallrave, kapitalit dhe shërbimeve.

”Jam i bindur se kjo do të njihet si nisma për nder dhe respekt si në Bruksel ashtu edhe në Uashington. Ky është një proces autentik i përbashkët i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Serbisë, mirëpo prej fillimit them se nisma është e hapur për gjithë shtetet e Ballkanit Perëndimor”, tha Zaev.

”Të përgatisim të gjitha politikat qeveritare për lëvizje të lirë të shërbimeve përmes pranimit të ndërsjellë, kualifikime profesioniste me ndërhyrje të sistemit pa leje për transferim të kompanive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor me njohjen e nënshkrimeve elektronike dhe shërbimeve të tjera”, shtoi ai.

Ndër të tjera, Zaev tha se mossuksesi i Bashkimit Evropian për të përmbushur premtimet për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE, të Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Serbisë dhe mosliberalizimi i vizave për Kosovën, është kundër idesë evropiane dhe interesave të vet Bashkimit Evropian./ /Kosovapress/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.