Muçostepa: Ballkani Perëndimor si një destinacion i vetëm investimi

TIRANË, 29 korrik /ATSH/ Në Shkup, u zhvillua sot Forumi Ekonomik Rajonal, për vendet e Ballkanit Perëndimor, pjesë e së cilës është dhe Shqipëria.

Gjatë fjalës së saj në këtë forum, kryetarja e Unionit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë, Ines Muçostepa, tha se bashkëpunimi rajonal në fushën ekonomike është shumë i rëndësishëm për të gjithë ne, dhe se integrimi ekonomik është hallka më e fortë që do të çojë vendet e Ballkanit Perëndimor drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

“Ky forum është një iniciativë për të forcuar kapacitetet rajonale dhe do të jetë përgjegjësia jona monitorimi i hapave të veprimit të ndërmarra nga lidershipët politik. Ne nuk kemi dyshime mbi rrugëtimin tonë, për një qasje të re të të bërit biznes e cila bashkohet me vizionin dhe misionin tonë, në vlerësimin e operimit të bizneseve në lëvizshmërinë e forcës së punës dhe lirinë e lëvizjes brenda rajonit si model kryesor të procesit të integrimit të BE-së”, tha Muçostepa.

Sipas saj, komuniteti i biznesit në Ballkanin Perëndimor është vendimtar për zhvillimin e rajonit dhe është detyra jonë t’ju ofrojmë rezultat që kërkojnë. Do t’ju kërkojmë zbatimin efikas të marrëveshjeve që do të nënshkruajmë sot dhe do të jemi gjykatës të paanë në mënyrë që vullneti politik të drejtojë rezultat pozitiv të këtij procesi.

Ajo e cilësoj këtë forum një epokë të re midis biznesit dhe politikës, midis biznesit dhe biznesit.

“Si anëtarë themelues të Dhomave të Tregtisë dhe Biznesit të Ballkanit Perëndimor, jemi mësuar ta quajmë këtë organizmin si familja jonë e vogël e biznesit, duke vendosur në plan të parë besimin dhe bashkëpunimin pa barriera me qëllimin që të jemi zëri i përbashkët i komunitetit të biznesit në rajon për të lehtësuar kontaktet mes bizneseve, si dhe shndërrimin e rajonit në një destinacion të vetëm investimi”, deklaroi Muçostepa.

Këshillat Rajonal të Biznesit do të ndjekin ecurinë e masave që lehtësojnë bashkëpunimin ekonomik dhe rajonal si dhe procesin e integrimit europian të Ballkanit Perëndimor. Gjithashtu edhe platforma për investime, mbështet rritjen e fizibilitetin të Ballkanit Perëndimor si një destinacion i vetëm investimi, u shpreh Muçostepa, teksa informoi se “po punohet për identifikimin e kompanive në rajon, që me standardet e tyre të larta të biznesit dhe prodhimit mund të bëhen pjesë e zinxhirit ndërkombëtar të furnizimit”.

Ndërsa theksoi gjatë fjalës së saj, se Ballkani Perëndimor është rajoni i marrëveshjeve, i mundësive dhe në këtë moment ka një vëmendje të rëndësishme të faktorit ndërkombëtar ndaj fokusi ynë është të nxisim zhvillimin ekonomik duke mbështetur biznesin.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.