Më 1 janar 2023 zero pritje në kufij, nisma “Ballkani i hapur” gjithëpërfshirëse dhe e lirë për të gjitha vendet

TIRANË, 29 korrik/ATSH/ Kryeministri Edi Rama pas nënshkrimit të marrëveshjeve me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut tha se ky është shpirti i kësaj nisme, për të qenë bashkë në çdo rast kur cilido nga vendet tona përballet me forcat e natyrës.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç, Kryeministri Rama tha se “kur nëntorin e 2019-ës në Shqipëri ra tërmeti, ishin forcat e kërkim-shpëtimit nga vendet e rajonit që mbërritën me shpejtësi dhe mes tyre ishin edhe forcat e kërkim-shpëtimit nga Serbia e Maqedonia e Veriut. Çfarë kuptuam në atë moment tragjik? Ne kuptuam se sa e rëndësishme ishte të mos ndjeheshe vetëm dhe sa e vlefshme ishte në një terren të shkatërruar ku kishte qindra jetë njerëzish nën gërmadha të kishe më shumë forca”.

“Sot faktikisht kemi firmosur një marrëveshje për të qenë bashkë në çdo rast kur, largqoftë, cilido nga vendet tona përballet me forcat e natyrës. Më thoni mua, ose të çohet ndër shumë më të mençurit se unë, çfarë të keqe do të kishte për Kosovën, Malin e Zi, për Bosnjën që të bashkoheshin në këtë nismë, e cila hap rrugën që forcat tona të emergjencave të ndërveprojnë së bashku, të stërviten së bashku hera-herës të kenë një sistem të përbashkët alarmi dhe të gjenden aty ku duhet për të ndihmuar”, nënvizoi Rama.

Apo, vijoi Kryeministri, në rastin kur për shkak të gjithë ndryshimeve klimatike dhe veprimeve kriminale ku sipërfaqe të tëra pyjesh digjen, ku është e keqja që helikopterët e vendeve tona të gjenden aty të gjithë bashkë.

“Ky është shpirti i kësaj nisme dhe nuk dua të flas më shumë”, – tha Rama.

I pyetur për mospjesëmarrjen e Kosovës, Kryeministri Rama tha se, “po e përsëris që jo vetëm unë, por të tre ne e kemi thënë dhe rithënë, stërthënë jo vetëm, me gojë, por edhe në deklaratat tona që kjo nismë nuk është ekskluzive, por inkluzive, nuk është përjashtuese, por gjithëpërfshirëse është e hapur dhe e lirë për të gjithë vendet që do veprojnë sipas interesit dhe logjikës së tyre”.

“Shqipëria do ta bëjë këtë proces me të gjithë kur dhe si të jetë e mundur. Nga ana tjetër nuk ka për ne asnjë problem nëse dikush tjetër nuk do ta bëjë apo do ta bëjë pjesërisht. Ne duam që komunitetet e vendeve tona qofshin qytetarë, apo subjekte biznesi të kenë një hapësirë lirie brenda rajonit tonë. Nuk ka asnjë problem për këtë”, – tha Rama.

Më tej Rama tha se “dua të shtoj gjithçka meqenëse pyetja ishte e drejtpërdrejtë për Kosovën. Serbia dhe Presidenti i Serbisë kanë bërë një ekstramilje duke pranuar që nisma të jetë jo vetëm gjithëpërfshirëse, por të shkojë përtej Procesit të Berlinit kur vjen fjala për lëvizjen e qytetarëve, që do të thotë në këtë aspekt nuk ka asnjë shoqëri në këtë territor që të jetë i diskriminuar dhe asnjë qytetar që të jetë i diskriminuar”.

“Përtej çështjes së hapur mes Serbisë dhe Kosovës kjo nismë u rithotë popujve, individëve, bizneseve, që ju jeni të barbartë përtej fatit që në nivelin shtetëror dhe institucional ka një çështje që është ende e hapur dhe është në rrugën e trajtimit me dialogun e vështirë mes dy vendeve. Ky është një oportunitet kolosal për të gjithë shoqëritë tona. Është një potencial i madh dhe nuk kemi të drejtë si udhëheqës që ta mbajmë këtë potencial të pazhvilluar”, u shpreh Rama.

Kryeministri Rama tha se “më 1 janar 2023 do kemi mes vendeve tona 0 pritje në kufij. Të tjerët janë të mirëseardhur. Boll me këtë na ftuan, s’na ftuan. Ishim në Tiranë, të 6 vendet për të diskutuar dhe aty diferenca ishte e qartë. Disa duan, disa s’duan. Autostradat, hekurudhat, lëvizja e lirë e mallrave, mbase nuk janë e njëjta gjë me demokracinë, po demokraci dhe liri pa këto është shumë e vështirë të kesh dhe ta kesh të pakërcënuar. Kështu që unë bashkohem plotësisht me bindjen që politika më e mirë është bashkëpunimi, afrimi, ekonomia, rinia”.

“Bashkëpunimi është shumë i thjeshtë. Një kamion me mall, për të hyrë në rajonin tonë, pret njëherë matanë rajonit me orë të tëra. Apo për të dalë nga rajoni ynë pret mesatarisht 10 orë për të hyrë në zonën e Bashkimit Europian. E përveç këtyre 10 orëve i duhen dhe aq herë 10, minimumi, për të shkuar në destinacion brenda për brenda rajonit”, theksoi Rama.

Kryeministri Rama deklaroi se rajoni ka nevojë për interkonektivitet.

“E vërteta është se për sa i përket rrugëve, vendet po bëjnë progres. Jemi në kushtet kur kemi një boshllëk të madh në infrastrukturën hekurudhore. Shpresoj se të tre vendet së bashku të mund të vënë në dispozicion të transformimit të hekurudhave dhe gjithë transportit hekurudhor burimet më të mira njerëzore, për të patur një vizion dhe një program të përbashkët zhvillimit për të gjithë rajonin. Pastaj secili vend ka sovranitetin e vet, por së bashku mund t’i drejtohemi Komisionit Europian për atë pjesë të planit ekonomik të investimeve që lidhet me hekurudhat”, deklaroi Rama.

Sa i përket energjisë, Rama tha se jemi mjaftueshëm të pasur dhe se mund të bashkëpunojmë.

“Jam i bindur se ne jemi mjaftueshëm të alarmuar lidhur me perspektivën, në rast se nuk bëjmë hapat e duhur, por jemi mjaftueshëm të pasur që të bëjmë hapat e duhur. Kështu që edhe për energjinë ne mund të bashkëpunojmë për të kuptuar se çfarë mund të bëjmë, jo vetëm në nivel kombëtar, por në nivel rajonal, në funksion të interesave kombëtare të çdo vendi”, u shpreh Kryeministri.

Po ashtu, Rama tha se bashkëpunimi do të shtrihet edhe në fushën e digjitalizimit.

“Tre këto janë nevoja të mëdha tonat, por edhe tre drejtime të planit ekonomik të investimeve të BE-së. Të vetëm jemi të vegjël dhe e kemi zërin më pak të dëgjueshëm. Së bashku jemi më të konsiderueshëm sa i përket potencialit të investimeve, por edhe zërin e kemi më të fortë”, deklaroi Rama.

/k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.