KPA shtyn vendimin për prokurorin Hajdarmataj

TIRANË, 29 korrik/ATSH/ Komisioni i Posaçëm i Apelimit ka shtyrë vendimin për prokurorin Besim Hajdarmataj, pasi ka kërkuar materiale shtesë.

Hajdarmataj kaloi me sukses në muajin tetor procesin e Vetting-ut, por vendimi i KPK ishte ankimuar nga Komisioneri Publik.

“Kryesuesja e seancës bëri me dije se, pasi mbylli shqyrtimin gjyqësor në seancën e datës 16.07.2021, trupi gjykues u tërhoq për vendimmarrje lidhur me çështjen. Gjatë bisedimeve, trupi gjykues vendosi të revokojë vendimin e ndërmjetëm të datës 16.07.2021, për mbylljen e hetimit gjyqësor dhe ta riçelë atë, për t’i marrë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit informacion të përcjellë nga Vodafone Albania, nëpërmjet një shkrese të datës 26.04.2019, në funksion të shqyrtimit gjyqësor të çështjes. Kryesuesja e seancës bëri me dije se për këtë arsye, seanca gjyqësore do të shtyhet për në datën 03.08.2021, ora 9:00. Në këtë seancë, palët do të paraqesin qëndrimet e tyre lidhur me dokumentin, nëse do t’u jetë vënë në dispozicion paraprakisht nga Kolegji”, njoftoi KPA.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.