Inkubatorë për përpunimin e peshkut dhe frutave në Vlorë dhe Korçë

TIRANË, 29 korrik /ATSH/ Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi në vijim të vizitës në Itali, së bashku me Konsullen e Përgjithshme Genta Mburimi, morën pjesë në inagurimin e inkubatorit lokal në Tricase, i cili do të shërbejë për përpunimin e prodhimeve bujqësore dhe të peshkimit, “foodlab” si pjesë e projektit Food4Health.

Ekonomi tha se, “rikonstruksioni i një godinë të vjetër në Tricase, tani do t’i shërbejë komunitetit lokal dhe bizneseve të zonës”.

“Shembuj të tillë të suksesshëm do të zbatohen edhe në Shqipëri, në QTTB-në e Vlorës dhe Korçës për përpunimin e peshkut dhe frutave”, u shpreh ministrja.

Ndërkohë gjatës ditës së djeshme Ekonomi zhvilloi një takim edhe me kryetarin e bashkisë së Tricase-s, Antonio De Donno, të cilin e falenderoi për mikëpritjen dhe bashkëpunimin e ofruar në realizimin me sukses të këtij projekti, ku Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural është partner drejtues.

Projekti ndërkufitar “Food4Health”, mes Shqipërisë, Italisë dhe Malit të Zi, i financuar nga BE nëpërmjet Instrumentit të Asistencës Financiare të Bashkëpunimit (Interreg), synon të mbështesë fermerët e vegjël dhe zinxhirin e vlerës për produktet tipike lokale, me impakt në ekonominë rurale.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.