Fiskalizimi, 1.4 milionë fatura me para në dorë në një javë

TIRANË, 29 korrik/ATSH/ Procesi i Fiskalizimit, një reformë që administrata tatimore e ka nisur prej 1 janarit të këtij viti pritet të ketë një efekt pozitiv në të gjithë ekonominë e vendit dhe veçanërisht tek bizneset, pasi shkëmbimi i automatizuar i faturës elektronike shkurton kohë dhe është më i sigurtë.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj bëri të ditur sot se vetëm përgjatë një jave, nga data 19 deri më 25 korrik, janë lëshuar 1.4 milionë fatura me para në dorë.

Deklarata e ministres Denaj u bë gjatë një vizite në një nga dyqanet e tregtimit të metrazheve dhe perdeve.

“Joana, prej 17 vitesh menaxhon dyqanin e saj të tregtimit të metrazheve dhe perdeve. Ajo kryen transaksione biznes me biznes, por edhe me konsumator. Prej 3 muajsh ka filluar fiskalizimin dhe përdor zgjidhje softuerike”, tha Denaj.

Reforma e Fiskalizimit po zbatohet në tri faza.

Faza e parë nisi më 1 janar për të gjitha transaksionet biznes-qeveri (B2G). Më 1 korrik 2021 nisi faza e dytë që përfshiu transaksionet pa para në dorë ndërmjet tatimpaguesve, ndryshe B2B.

Ndërsa më datë 1 shtator 2021 do të nisë faza e tretë, për transaksionet me para në dorë nga tatimpaguesit, ose siç njihet ndryshe B2C.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.