Brenda 2022 qarkullimi i mallrave dhe njerëzve në rajon 100% i njehsuar me BE

TIRANË, 29 korrik/ATSH/ Kryeministri Edi Rama nga Shkupi e përsëriti sërish sot apelin e tij për bashkëpunim për të gjithë krerët e vendeve të Ballkanit Perëndimor me objektivin e vetëm tha ai, rritjen e mirëqenies së rajonit.

“Ne jemi këtu për të ardhmen dhe çështjet e së shkuarës zgjidhen shumë më lehtë nëse sytë janë nga e ardhmja. Me sytë nga e shkuara, nuk ka çështje të së shkuarës që zgjidhet në emër të së ardhmes”, deklaroi Rama.

“Kush thotë që kjo është një nismë e projektuar në bodrumet e ish-Jugosllavisë për të rikompozuar Jugosllavinë, për t’i dhënë hegjemoninë Serbisë, se ajo është më e madhe dhe do të vijë të na marrë të gjitha ato që kemi, e para, jeton në një botë paralele, e dyta, jeton për politikë në lëkurën e njerëzve dhe jo për rritjen e mirëqenies dhe forcimin e urave mes njerëzve dhe e treta, harron se po të nisemi kështu, atëherë duhet të themi se edhe Bashkimi Europian është një Jugosllavi e Madhe. Nëse BE, është Jugosllavia e Madhe, atëherë po, kjo është një Jugosllavi e Vogël. Por në fakt jo”, deklaroi Rama.

Kjo vijoi ai, është as më shumë e as më pak, por krijimi i një hapësire që jeton me parimet, vlerat e mekanizmat e BE-së, ndërkohë që secili nga vendet bën përpjekjen e tij për t’u integruar në BE.

“Për çfarë arsyeje të gjithë kamionët e mallrave që qarkullojnë në këtë rajon, duhet të harxhojnë më tepër kohë në kufi, sesa në udhëtim. Këtu ka sipërmarrës që i përkasin sektorit të tregtisë dhe e dinë mirë këtë. Në emër të kujt, ne duhet të pranojmë këtë realitet si të pandryshueshëm, deri sa të bëhemi anëtarë të BE-së. Në emër të historisë, konflikteve, të çështjeve akoma të pazgjidhura që e dimë shumë mirë që duhen zgjidhur. Këtu unë dua të ripërsëris, se çështjet e pazgjidhura mes nesh, nuk zgjidhen më kollaj duke hedhur poshtë e mohuar potencialin e këtij bashkëpunimi”, u shpreh Kryeministri Rama.

Përkundrazi, tha Rama, sa më shumë potenciali i këtij bashkëpunimi të kthehet në mirëqenie, liri lëvizjeje, ekonomi e perspektivë, aq më e mundur është që edhe çështjet e pazgjidhura të zgjidhen, sepse të gjitha shoqëritë kështu kalojnë në një nivel tjetër të kuptimit të vetes, njëri-tjetrit dhe të ardhmes.

Për ne, për Shqipërinë, u shpreh Kryeministri Rama, kjo nismë është strategjike.

“Ne do të vazhdojmë me këmbëngulje përpara. Objektivi ynë është që brenda vitit të ardhshëm, i gjithë sistemi i qarkullimit, jo vetëm të njerëzve, por edhe mallrave, kapitalit dhe shërbimeve të jetë 100 % i njehsuar me Bashkimin Europian. Madje, kemi rënë darkod që do të fusim edhe sistemin e integruar të informacionit mbi pagesat e TVSH-së midis vendeve”, deklaroi kryeministri.

Kryeministri Rama, duke përsëritur ftesën për vendet që ende nuk i janë bashkuar kësaj nisme, theksoi se, nuk e kuptonte se përse hezitonin Mali i Zi, apo Bosnjë-Hercegovina. Ai tha se e kuptonte se përse mendohet Kosova dhe në këtë pikë shtoi se ishte absolutisht në një qëndrim të kundërt.

“Mali i Zi për çfarë mendohet? Mendohet se si të zgjidhë problemin e krahut të punës duke qëndruar i mbyllur ndaj kësaj nisme, që është një problem serioz për të gjitha vendet, por që për Malin e Zi është bërë një problem shumë i madh. Po Bosnja, për çfarë mendohet? Sepse e di për çfarë mendohet Kosova, dhe në këtë pikë jam absolutisht në një qëndrim të kundërt. Sepse, për mua, të gjitha këto vende duhet të jenë pjesë e këtij procesi dhe duhet të bëjnë maksimumin në këtë proces, për veten e tyre, për njerëzit e tyre, shoqëritë e tyre, e të gjithë bashkë”, u shpreh Rama.

Sepse, tha ai, çdo ditë që ne fitojmë në këtë proces, është një ditë e fituar për të ardhmen.

E shkuara, sipas Kryeministrit Rama, nuk mund të diktojë se sa rritemi ekonomikisht. Përkundrazi, shtoi ai, e ardhmja duhet ta diktojë se sa zhvillohemi në të gjitha aspektet.

Rama vuri theksin në rëndësinë e ndërtimit të projekteve të përbashkëta. Konkretisht foli për ndërtimin e rrjetit hekurudhor ballkanik. Por sipas tij, asnjë organizëm financiar ndërkombëtar, apo investitor nuk do të ishte i gatshëm të financonte projekte që shkojnë në një destinacion, apo brenda për brenda kufijve të secilit shtet.

“Dëgjoj patriotët e Shqipërisë që thonë hekurudha. Cilat janë këto organizma financiarë ndërkombëtarë apo investitorë që financojnë, nëse treni shkon në një destinacion, brenda për brenda kufijve tanë, apo edhe nga Tirana në Prishtinë? Por ndryshe do të ishte nëse ne së bashku kemi fuqinë dhe vullnetin të ndërtojmë një projekt të përbashkët, e me të të trokasim në dyert e mekanizmave ndërkombëtare, e të themi: urdhëroni këtu rrjetin hekurudhor të të gjithë Ballkanit, ku çdo vend ka pjesën e vet, sepse gjithë volumi i lëvizjes justifikon investimin”, u shpreh Rama.

Pikërisht, tha ai, projektet e përbashkëta çojnë në rritje të ekonomisë, punësimit, sipërmarrjes dhe në fund fare fuqizohet e ardhmja.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.