Basha takon Arifin: Spastrimi etnik në Luginën e Preshevës, problem themelor

TIRANË, 29 korrik /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha zhvilloi sot një takim me kryetarin e komunës së Bujanocit, Nagip Arifi.

“Në këtë korrik të nxehtë, të nxehta mbeten problemet e mëdha të mbartura prej vitesh për shqiptarët e Luginës së Preshevës, ku do të veçoja si problem themelor spastrimin etnik që po i bëhet komunës së Bujanocit si dhe asaj të Medvegjës dhe të Preshevës nga i ashtuquajturi “procesi i përcaktimit të adresave të shqiptarëve” në këto tre komuna. Ky është një proces diskriminues, në shkelje totale të kushtetutës së vet Republikës së Serbisë dhe angazhimeve të saj në kuadër të këshillave të Europës dhe në kuadër të dokumenteve të bashkëpunimit në procesin e Integrimit Europian të Republikës së Serbisë”, tha Basha në një prononcim për mediet pas takimit.

Basha theksoi se, “PD dënon me forcë dhe i kërkon autoriteteve serbe, nga kreu i shtetit tek qeveria serbe, të ndalin menjëherë këtë praktikë të paligjshme, sikundër i bën thirrje Bashkimit Europian, Këshillit të Europës, OSBE-së, Shteteve të Bashkuara të Amerikës që përmes presionit të drejtpërdrejtë të bëjnë gjithçka për të ndalur këtë spastrim etnik që po ndodhë tashmë prej vitesh përmes pasivizimit të adresave ku vetëm në komunën e Bujanocit për shkak të këtij procesi të paligjshëm dhe me reminishencat e regjimeve të kaluara mbi 2 mijë qytetarë të kësaj komune, shqiptarë, kanë humbur të drejtën e rezidencës, të sigurimeve shoqërore dhe të drejta të tjera që burojnë nga regjistrimi i ligjshëm si banor të kësaj komune”.

“Natyrisht ky proces është shqetësimi ynë më i madh dhe është shfaqja me e hapur e hendekut midis fjalëve dhe veprave të autoriteteve të Serbisë ku nga njëra anë trumbetohet lëvizja e lire dhe klima e bashkëpunimit dhe nga ana tjetër goditen vetëm për shkak të përkatësisë së tyre etnike shqiptarët në Serbi ne veçanti shqiptarët e Luginës së Preshevës”, tha Basha.

Por, shtoi kreu i PD, “diskriminimi nuk ndalet këtu. E gjithë zona e Luginës së Preshevës ka vetëm një institucion shëndetësor që është spitali i Vranjës, ku ndonëse i shërben një territori prej 7 komunash, mbi 30 % e popullsisë së këtyre 7 komunave janë shqiptarë. Kryesisht në 3 komuna të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, nuk ka një mjekë të vetëm shqiptarë. Diskriminimi vazhdon me pengesat për studentët, nxënësit e shkollave të mesme për të pasur dhe mësuar në gjuhën e tyre amtare”.

“Diskriminimi vazhdon në mosnjohjen e diplomave të të rinjve dhe të rejave që kanë studiuar në Universitetin e Prishtinës dhe procedurave të tejzgjatura për ata që kanë studiuar në universitetet e Shqipërisë, me rezultat emigracionin masiv të rinis nga kjo zonë dhe të gjitha këto kulmojnë në atë që pa diskutim ne e shohim si një përpjekje të organizuar dhe të stimuluar në mënyrë shtetërore nga autoritetet në Beograd për të spastruar etnikisht luginën e Preshevës nga banorët shqiptarë që kanë jetuar dhe jetojnë aty në trojet e tyre stërgjyshore”, tha Basha.

“Por kundër kësaj situate dhe sfidave të mëdha ekonomike dhe sociale me të cilat përballen qytetarët në Luginën e Preshevës, shurdhon heshtja dhe mosveprimi i qeverisë së Tiranës apo veprimi i pa mjaftueshëm. Disafish më shumë para janë shpenzuar për ngjarje vanitoze dhe protagonizëm pa asnjë efekt sesa ç’i jepet ndihmë këtyre komunave dhe shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Natyrisht kjo është në kundërshtim flagrant me vizionin tonë, me vlerat tona por edhe me detyrimet kushtetuese të Republikës së Shqipërisë dhe me vullnetin e qytetarëve shqiptarë”, u shpreh Basha.

I pyetur nga gazetarët se si e kupton takimin në Shkup, Basha u shpreh se, “mendoj që këto takime po bëhen kaq shpesh sa nuk e kuptojmë përse po bëhen dhe çfarë të reje po prodhojnë, përveç fotografive dhe protagonizmit të tepruar politik të atyre që janë në këto takime”.

“Pozicioni është ai që ka qenë gjithmonë i imi dhe i Partisë Demokratike që lëvizja e lirë në rajonin tonë të funksionojë duhet t’i japim fund hipokrizisë, duhet urgjentisht të punohet për eleminimin e kërcënimit të fundit për paqen dhe stabilitetit në rajon që është njohja e ndërsjellë midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Dhe pa diskutim lehtësimi i lëvizjes së lirë është një përparësi dhe një synim dhe një kërkesë e të gjitha proceseve integruese e Bosnjë-Hercegovinës, po kështu edhe Procesi i Berlinit, po kështu edhe CEFTA, kështu që kanë dëshirë me protagonizëm për të dal në këto ditë të nxehta për të bërë fotografi, nuk është ndonjë çudi e madhe për mua, po të na kursejnë përsëritjen e një filmi të parë e stërparë që s’prodhon asgjë të mirë për qytetarët, por po kthehet në një alibi për ngecjen në vend të objektivave që duhet të ketë secili prej kryeqyteteve në rajon, e që fillojnë siç e thashë me një trajtim të barabartë të gjithë shteteve sovrane, duke filluar me njohjen e ndërsjellë midis Republikës së Serbisë dhe Republikës së Kosovës, për të cilën pa diskutim përgjegjësia është e qartë, përgjegjësi është i qartë dhe do të marrë të gjitha përgjegjësitë. Partia Demokratike e ka mbështetur dhe e mbështet dialogun midis dy republikave, por nuk kemi lënë asnjëherë dilemë se cili duhet të jetë përfundimi i këtij dialogu, të jetë njohja e ndërsjellë”, tha Basha.

“Ne jemi të lumtur që të shohim që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian janë pa ekuivok shumë qartë për sa i përket këtij objektivi. Nga ana tjetër në prani të kryetarit të komunës së Bujanocit dua të theksoj dhe njëherë se asnjë takim nuk mund t’i shërbejë si alibi për t’i ikur detyrimeve kushtetuese që ka çdo kryeministër shqiptar, në preamburin e kushtetutës për t’u kujdesur për fatin e shqiptarëve kudo ku ata jetojnë, dhe fati i shqiptarëve të luginës së Preshevës, fati i vajzave dhe djemve në qytetin e Bujanocit dhe në fshatrat shqiptare të Bujanocit është që çregjistrohen në mënyrë të paligjshme për t’u zbrazur, për ta zbrazur demografikisht, etnikisht, për të bërë spastrim etnik të Luginës së Preshevës. Nuk e di sa kohë i kushton, apo i ka kushtuar Edi Rama këtij këtij problemin kur flet me mikun e tij Vuçiç, në qoftë se i ka kushtuar ndopak kohë e ka mbajtur sekretin mjaftë mirë”, tha Basha.

Ndërsa Nagip Arifi tha se, “sot ne patëm një takim me kryetarin Basha, që ishte një takim vëllazëror”.

“Unë paradite kam pasur takim me presidentin Ilir Meta, kam pasur takim edhe me  ministrin Pandeli Majko dhe tani me kryetarin e Partisë Demokratike dhe u njoftova me problemet dhe sfidat të cilat i kanë shqiptarët të luginës së Preshevës, konkretisht në Bujanoc. U njoftova me situatën se si është duke vepruar Serbia ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Është duke përdor metodën e pastrimit etnik, sepse edhe State Departament Amerikan, por edhe Komuniteti i Helsinkit ka dhënë një vlerësim se është shteti i Serbisë një spastrim etnik ndaj shqiptarëve duke e bërë. Njoftova mbi situatën politike dhe të sigurisë, po ashtu edhe me situatën ekonomike. Ne kërkuam ndihmën e shtetit shqiptarë, sepse Shqipëria e fortë, Shqipëria në NATO, Shqipëria në BE, po ashtu një Kosovë e pavarur me pretendime të jetë anëtare e NATO-s dhe BE-së. Edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës do të jenë më të sigurtë, më të fortë. Unë mendoj dhe shumë shpresoj se shqiptarët një ditë do të jetojnë të bashkuar në Europën e bashkuar”, tha Arifi.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.