“Ballkani i hapur”, 3 marrëveshjet e nënshkruara në Shkup

TIRANË, 29 korrik/ATSH/ Në Shkup, në kuadër të forumit ekonomik “Ballkani i hapur”, u nënshkruan 3 marrëveshje për bashkëpunim rajonal.

Marrëveshjet u nënshkruan nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev si dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Marrëveshja e parë ishte për bashkëpunim për katastrofat, mbrojtjen dhe shpëtimin. Palët kontraktore vendosin kushtet për mbështetjen vullnetare në rast katastrofash.

Më pas u nënshkrua memorandumi i mirëkuptimit për të lehtësuar import-eksportin e lëvizjen e mallrave, mbështetur në gatishmërinë politike të të tre vendeve për të forcuar marrëdhëniet e ndërsjella dhe mirëkuptimin, për të eliminuar barrierat, për të kontribuar në ecurinë ekonomike dhe për të rritur vëllimin e tregtisë së ndërsjellë.

Ndërsa në fund u nënshkrua memorandumi për qarkullimin në tregun e punës në rajon.

Palët kontraktore shprehin vullnetin për të lehtësuar lëvizjen, qarkullimin e njerëzve, për të siguruar një qasje më të lehtë e të lirë në tregun e punës, duke siguruar lejet e punës dhe duke lehtësuar procedurat për lejet e përkohshme të qëndrimit.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.