Teatri Kombëtar, Margariti: Ka një vendim shumë të qartë të Gjykatës Kushtetuese

TIRANË, 28 korrik/ATSH/ Ministrja e Kulturës, Elva Margariti shprehu sot keqardhje për gjuhën dhe sjelljen e përfaqësuesve të një grupi, që siç u shpreh ajo, “u paraqit sot te dera e Ministrisë pa asnjë kërkesë për takim”.

Një grup aktorësh thanë sot se do të dorëzonin një kërkesë për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me Teatrin Kombëtar në Ministrinë e Kulturës, duke pretenduar se nuk ishin pritur nga ministrja Margariti.
Në reagim të tyre, Margariti u shpreh se “në Ministrinë e Kulturës priten e përcillen me respekt të gjithë ata që dinë të trokasin, duke respektuar institucionin, qoftë kur kanë ide e projekte për të diskutuar, qoftë kur kanë ankesa apo kritika për të adresuar”.
“Nuk ndodh që t’i mbyllet dera askujt, sepse respekti i ndërsjellë është zanafilla e detyrës institucionale dhe qytetare”, tha ajo.
Sa për Teatrin Kombëtar, tanimë ka një vendim shumë të qartë të Gjykatës Kushtetuese, dhe ai vendim është vetëm për t’u zbatuar nga institucionet dhe për t’u respektuar nga të gjithë. Pa përjashtim!”, shprehet Margariti.
/r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.