Raporti i OSBE/ODIHR, Basha: Të ndëshkohen autorët e masakrës zgjedhore

TIRANË, 28 korrik/ATSH/ “25 prilli ishte një masakër zgjedhore!”, u shpreh sot kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në reagim të raportit final të OSBE/ODIHR për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.

“Këtë e dinë të gjithë shqiptarët, këtë e konfirmon edhe OSBE/ODIHR. Partia Demokratike ka depozituar 185 padi penale në SPAK dhe në prokuroritë e rretheve për krimet zgjedhore”, vijoi Basha, duke publikuar një video me gjetjet kryesore të raportit.

“Ne presim drejtësi, sepse shqiptarët meritojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Pa u ndëshkuar autorët e kësaj masakre, pa u kthyer legjitimiteti në vend, nuk do të kemi një pushtet të njerëzve për njerëzit, por sundimin e një pakice të korruptuar që varfëron dhe shpopullon Shqipërinë”, theksoi kreu i PD-së. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.